Kuvendi i Shqipërisë vlerësohet nga OSBE/ODIHR për produktivitet dhe transparencë gjatë pandemisë.
Në raportin “Dimensioni Human i OSBE dhe përgjigjet shtetërore ndaj pandemisë Covid-19”, publikuar këto ditë nga OSBE/ODIHR, Kuvendi i Shqipërisë ka marrë vlerësime shumë pozitive dhe është vlerësuar ndër parlamentet që u janë përgjigjur më mirë, nëpërmjet veprimtarisë inovative situatave të pandemisë.
“Masat novatore që parlamentet kanë paraqitur në këtë fushë, që në muajin mars të 2020-s, janë duke u zhvilluar me shpejtësi. Në shumicën e rasteve parlamentet kanë përkrahur mundësinë që puna e komisioneve të lejohej për t’u zhvilluar në distancë, për shkak të dispozitave më të rrepta që rregullojnë punën e seancave plenare në shumë legjislatura. Parlamenti i Shqipërisë ishte një ndër të parët që lejoi komisionet të punonin në distancë, përmes mjeteve të komunikimit elektronik”, thekson OSBE/ODIHR.
“Në lidhje me transparencën e punës parlamentare, në një sërë shtetesh pjesëmarrëse janë regjistruar praktika të mira në përdorimin e krizës aktuale për të shtuar qasjen në informacion dhe të dhëna të hapura. Në Shqipëri, për shembull, vendimi për të lejuar zhvillimin në distancë të mbledhjeve të komisioneve, duke përdorur platforma videokonference, ka mundësuar që transmetimi live i këtyre mbledhjeve të jetë i arritshëm për publikun e gjerë”, shkruhet midis të tjerash në raport.