Në qarkun e Korçës nga paketat e Qeverisë për zbutjen e pasojave të pandemisë në ekonomi, kanë përfituar 10 493 qytetarë dhe 4 481 biznese.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, vijoi sot në Korçë, turin e komunikimeve të drejtpërdrejta me biznesin.
Ajo ishte në tavernën dhe njësinë akomoduese “Tomas”, në Boboshticë, në një nga zonat e njohura për gatimet tradicionale dhe që është ndihmuar nga të dyja paketat e ndihmës të dhënë nga qeveria.
Ministrja Denaj u informua se i gjithë stafi përfitoi nga paketa e parë dhe nga paketa e dytë për pjesën e hotelerisë. “I morëm të gjitha pagat e luftës njëra pas tjetrës në llogaritë tona personale”, tha sipërmarrësja.
Ndërkohë Denaj u shpreh se “biznesi i vogël do kohë për t’u ringritur pas kësja situate pandemie edhe njerëzit nuk do vijnë menjëherë, pavarësisht se u hap biznesi”.
“Deri në 2029, tatimfitimi do të jetë zero dhe pragu i TVSH-së do të rritet nga 2 milionë lekë do të shkojë në 10 milionë lekë. Kështu që ju do të jeni pjesë e përjashtuar e skemës për faturim TVSH-je. Këtu nuk flasim më nëse do të kthehemi në taksë të sheshtë apo në taksë progresive, sepse qeveria Rama prej kohësh, edhe me taksën progresive, e ka bërë shumë të qartë qasjen se biznesi i vogël është përjashtuar nga tatimfitimi edhe më herët në një masë të reduktuar, tashmë është zeruar”, tha ajo.
“E rëndësishme është që ju duke u larguar nga skema e TVSH-së të keni mundësi që të organizoni këtë ekonominë tuaj familjare që e keni nisur nga pak e nga pak dhe tani të shikoni një perspektivë që të paktën për 10 vjet edhe pas kësaj situatës së pandemisë që nuk do jetë menjëherë ajo ringritja, tatimfitimi dhe TVSH-ja të jenë të munguara dhe këto janë nga pushteti qendror”, tha Denaj