Turizmi po shihet tashmë si një sektor ekonomik që do të garantojë zhvillim të qëndrueshëm dhe do të ketë ndikim të madh në plotësimin e kërkesave të qytetarëve shqiptarë dhe turistëve të huaj për vizita kulturore, kohën e lirë, shëndetin dhe sportin, akomodimin, ushqimin dhe argëtimin, etj, duke ndryshuar pozitivisht strukturën ekonomike, duke krijuar vende të reja pune dhe të ardhura të konsiderueshme, si dhe duke kontribuar në zhvillimin social dhe ekonomik të vendit.
Zhvillimi i turizmit të qëndrueshëm është një sfidë shumë e madhe në zhvillimin e përgjithshëm të industrisë turistike shqiptare, e cila po merr një hov të dukshëm në vitet e fundit. Numri i strukturave akomoduese dhe operatorëve turistikë ka ardhur vazhdimisht në rritje, megjithatë nuk ka ende plane dhe strategji të sakta mbi të cilat përfitimet që sjell turizmi t’i shërbejnë zhvillimit të tij të qëndrueshëm. Gjithashtu, përgatitja teorike dhe praktike e operatorëve dhe menaxherëve turistikë karakterizohet nga mangësi në përgatitjen profesionale.
Aktualisht në Shqipëri, një pjesë e madhe e njerëzve janë të punësuar në sektorin e shërbimeve që lidhen me turizmin dhe për këtë arsye është thelbësore të zgjerohet spektri i shërbimeve, të zgjasë sezoni i turizmit dhe të ofrohet një cilësi më e lartë e shërbimeve bazuar në produkte autentike vendase, trashëgimi natyrore dhe kulturore, traditë dhe kulturë. E gjithë kjo duhet të bëhet me qëllim të tërheqjes së një numri më të madh të vizitorëve vendas dhe të huaj.
Zhvillimi dhe promovimi i produktit të turizmit është veçanërisht i rëndësishëm kur bëhet fjalë për parqet kombëtare pasi ato kanë potencial të madh për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm, të aventurës dhe komponëntët e tij kulturorë. Pikërisht një prej tyre është edhe Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta.
Projekti me fokus Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta.
Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është kompleksi ligatinor më i madh në Shqipëri, ku Laguna e Karavastasë, është një nga më të mëdhatë në Detin Mesdhe, e njohur si një ligatinë me rëndësi të lartë në nivel ndërkombëtar nga Konventa Ramsar (1994). Laguna e Karavastasë është e mirënjohur për koloninë e saj të species së rrezikuar botërore të Pelikanit Dalmat (Pelecanus crispus). Prania e këtyre shpendëve është edhe një nga arsyet kryesore që laguna e Karavastasë është përcaktuar si Zonë Ramsar e Rëndësisë Ndërkombëtare. Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është një vend i rëndësishëm për faunën ujore dhe luan rol të rëndësishëm në ekonominë e peshkatarëve vendas. Peizazhi mahnitës është një nga karakteristikat spikatëse të këtij parku, të cilat ndikojnë pozitivisht në ekonominë vendase dhe si portë për zhvillimin e turizmit.
Duke vlerësuar potencialet që ofron ky park, Fondacioni SIG, një organizatë jo-fitimprurëse, jo-qeveritare që ka në fokus zhvillimin ekonomik dhe social të vendit në nivel lokal dhe rajonal filloi në muajin tetor 2019 zbatimin e projektit “Menaxhim i zgjuar i produktit të turizmit kulturor për shfrytëzimin e pasurive natyrore, qëndrueshmërinë dhe tërheqjen territoriale”. Aktivitetet e këtij projekti po realizohen përmes një granti të siguruar nga Projekti për Promovimin e Turizmit i Regional Cooperation Council (RCC). Projekti është financuar nga Bashkimi Europian dhe zbatohet nga RCC në përpjekje për të kontribuar në rritjen dhe konkurrencën e gjashtë ekonomive të Ballkanit Perëndimor duke mbështetur zhvillimin dhe promovimin e ofertës së përbashkët rajonale kulturore dhe aventureske të turizmit.
Qëllimi i këtij projekti është rritja e atraksionit të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta, duke promovuar turizmin e aventurës në bazë të vlerave natyrore dhe kulturore të tij, me qëllim zhvillimin e një destinacioni të veçantë turistik në rajonin e Ballkanit. SIG po e përdor grantin e këtij projekti për të mbështetur zhvillimin e mëtejshëm të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta si një destinacion tërheqës për turizmin e aventurës dhe për të kontribuar në promovimin e tij duke përdorur mjete të reja teknologjike. Aktualisht për sa më sipër, përmes këtij projekti ekspertët e SIG realizuan një Raport Vlerësimi Bazë të vlerave natyrore (florës dhe faunës) dhe trashëgimisë kulturore dhe të turizmit në Park, shërbimet e disponueshme (përfshirë akomodimin) dhe numrin e ofruesve të shërbimeve, numrin e operatorëve turistikë dhe vizitorëve në Park, situatën e infrastrukturës dhe situatën mjedisore (menaxhimi i mbeturinave).
Të dhënat e nxjerra nga ky raport, do të përdoren për të zhvilluar një model biznesi për zhvillimin e mëtejshëm të Parkut, por edhe për të zhvilluar paketa turistike.
Sipas raportit vlerësues, konstatohet se falë burimeve turistike të shumta në park, turizmi i aventurës me format përkatëse të tij ka mundësi për t’u zhvilluar më tej.
Përveç të tjerave disa nga risitë që do të sjell ky projekt për parkun e Divjakë-Karavastasë do të jenë prodhimi i Platformës Elektronike dhe Turi Virtual 360 gradë, hapja e faqes zyrtare për parkun dhe broshura turistike (të cilat aktualisht mungojnë), do të jenë një vlerë e shtuar në promovimin e parkut dhe zhvillimin e turizmit. Këto produkte pritet që në fillim të muajit shtator 2020 të jenë të aksesueshme për turistët vendas dhe të huaj.
Gjithashtu në fund qershor 2020, u organizua workshopi on line “Zhvillim dhe Ngritje kapacitetesh për promovimin e turizmit”. Mbi 80 pjesëmarrës nga qytete të ndryshme të Shqipërisë (Tiranë, Durrës, Elbasan, Berat, Lushnjë, Fier, Pogradec, Korçë, Shkodër etj), të Kosovës (Prizren, Gjilan) dhe Maqedonisë së Veriut (Shkup) u bënë pjesë e workshopit. Pjesëmarrësit e vlerësuan këtë workshop si një mundësi për të rritur bashkëpunimin midis shumë aktorëve në fushën e trashëgimisë kulturore, historike e më gjerë. Zhvillimi dhe promovimi i produktit të turizmit është veçanërisht i rëndësishëm kur bëhet fjalë për parqet kombëtare pasi ato kanë potencial të madh për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm, të aventurës dhe komponentët e tij kulturorë. Pikërisht një prej tyre është edhe Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta.