Trajneri i Tottenhamit, Jose Mourinho, e ka kritikuar ashpër Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) e cila vendosi t’ia shfuqizojë Manchester Cityt dënimin e cili ia ndalonte atij pjesëmarrjen në garat evropiane për dy vjet pas dyshimeve për shkelje të rregullave për ndershmëri financiare. UEFA e dënoi Man Cityn me dy vjet pezullim nga garat evropiane në shkurt të këtij viti, për shkelje të rënda të rregullave për ndershmëri financiare (FFP) dhe licencim të klubit, transmeton Gazeta Express.
Klubi i Premierligës i pati mohuar akuzat në mënyrë ta vazhdueshme dhe të ashpër dhe muajin e kaluar vendosi të ankohej ndaj dënimit në CAS. Pas një seance dëgjimore që zgjati tri ditë në muajin qershor, CAS-i vendosi të hënën që t’ia heqë dënimin të kaltërve. Kjo nënkupton se City do të jetë i lirë të marrë pjesë në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm, ndërsa, dënimi me gjobë prej 30 milionë euro i është ulur në 10 milionë euro. Pak orë pasi Klopp e kundërshtoi vendimin e CAS, homologu i tij Mourinho ndau të njëjtin mendim pasi kishte mbetur i habitur sesi Cityt nuk i ishte konfirmuar dënimi.
Trajneri portugez ka nënvizuar se skuadra e Pep Guardiolës ishte fajtore dhe se e meritonte dënimin. “Në këtë rast është vendim i turpshëm, sepse nëse City nuk ishte fajtor atëherë nuk do të ishte gjobitur me 10 milionë euro”, tha Mourinho. “S’e di nëse City është fajtor apo jo, por sidoqoftë vendimi është i turpshëm”, shtoi ai.