Nga Col Mehmeti
Më duken fort të neveritshme këto cic-micet për presidentin.
Midis një loje të mendjeve të mbrapshta dhe një paqeje të zorshme personale, do të doja të luftoj për të dytën.
Pse u dashkan komente, sforcime a shfletime të Kushtetutës për një intrigë të shkaktuar me kaq gjaktftohtësi?
Nuk ka trohë sensi që në njërën anë VVampirët bëjnë për pikë të qejfit eksperimente e sabotime, kurse në anën tjetër shtetasit e mjerë duhet të merren me zbërthimin e çdo sjellje a fjale të thënë e të pathënë.
Po, po, po, e di që nëse hierarkia shtetërore i ngjan një sede vacante (fron bosh), kjo është mutsihane e një kulture politike që nuk e ka bërë të veten virtytin etatist.
Nuk ka kurrfarë habie nga intrigat që pjell qoftë VV-ja me pushtet maksimal, qoftë një zorrë qorre e saj si ‘presidentja’.
VV-ja e stërfuqizuar me pushtet nuk është përgjigjje për asnjë preokupim të vendit.
Pritshmëria e qindra mijëra njerëzve në Kosovë nuk ishte dhe as nuk është që Kurti ta bëjë më mirë këtuhin.
Është një konsensus i heshtur i një shumice që do nga Kurtokracia vetëm dy gjëra fare minimale: sadakë aktive dhe iluzion fuqie militareske edhe me dronë që nuk ekzistojnë.
VV-ja nuk ekziston për t’i bërë çare fabrikës sociale të shkërmoqur kaherë dhe as të ardhmes pus të zezë që konfirmohet nga nxënës gati retardë që janë të fundit në rruzull në testime të PISA-s.
VV-ja nuk ekziston që ndonjëherë të pleqërojë se po e jetojmë Indinë tonë me pisllëk deri në fyt, lumenj si rrjedha ndyrësie, 600 hektarë pyje që zhbihen në vit, mijëra hektarë tokë buke që mbulohen me beton…
VV-ja ekziston vetëm për hir të krizës.
Kur s’ka krizë e pjell një, kur duket se tejkalohet ajo e pjell tjetrën e kështu me radhë.
Ajo nuk do të mbijetonte në qetësinë shurdhe të një normaliteti qoftë njëminutësh.
Nëse nuk është kriza për presidentin, atëherë do të sajohej saora një tjetër me çetnikë në veri a me kufij të trazuar nga Moska e Beogradi.
Nëse kjo fiket si një zjarr i dobët, VV-ja e zbulon një X atentat nga një Y atentator.
Kur kriza të tilla kanë pak audiencë, imagjinohen të tjera e të tjera.
Kurti e kuptoi prej kohësh që ekonomia e krizave është me bereqet sepse njerëzia ka nevojë të ethshme për të urryer dikë, për ta gjetur një shejtan qoftë edhe brenda ditës.
Te Besimtari i vërtetë, Eric Hoffer shkruan se “Urrejtja është më e qasshmja dhe me kuptueshmja nga të gjithë agjentët bashkues. Lëvizjet popullore mund të lindin e përhapen edhe pa besuar në zot, por kurrë pa besuar në shejtan”.
Si do të kalonin 1908 ditë sundim VV-ist (nga 3 shkurti 2020 deri më sot) pa besuar në një shejtan publik e pa hedhur gurë drejt tij?
Orwelli te 1984-shi i njohur i tij e thotë bukur që Vëllau i Madh nuk e ka nijetin t’i fitojë luftërat, ato thjesht duhet të zgjasin e të zgjasin në mendjen e shoqërisë. Madje, ato nisin që të mos fitohen.
Te “Muri i Madh kinez”, Franz Kafka skicoi absurdin e pushteteve të mbrapshta ku kërkohet qëllimisht një betejë që nuk fitohet asnjëherë, por që harxhon pambarim sakrifica njerëzore.
Fshatarëve tejetej Kinës u thuhet se duhet ta ndërtojnë një mur të gjatë skaj kufijve veriorë të perandorisë.
Askush nuk e di psehun e një muri të tillë dhe breza e breza punëtorësh vdesin duke ndërtuar një mur që nuk dihet se ku do të shkojë e kë do ta mbrojë.
VV-ja do ta vuajë deri në vetëshkatërrim injorancën dhe skizofreninë e kryeparit të saj që gjithnjë e më shpesh po e humb fillin e intrigave që i thur vetë.
Ai sot është personi më i vetmuar në qelinë mendore të një pushteti eksponencial që ka shkatërruar secilin pol konkurrence.
Rreth vete i pati vetëm ata që i thanë “Po” për çdo gomarllëk, Yesmen-ët e pandershëm.
Ka momente ku një copë njerëzillëk i flet pavetëdijshëm se njëqind hise më i mirë ishte edhe më i keqi i opozitës sesa më zagari i tij më besnik.
Është ai momenti asgjësues ku nuk dëgjon gjë tjetër veçse heshtjen çmeritëse të pushtetit konsmues.
Kurtit nuk i bën më derman asnjë lëpushkë në formë njeriu, asnjë servil partie, madje as qindra vartës në institucione e ministri.
Atij nuk i bën përshtypje më as dosja javore që spiunët e AKI-së ia sjellin në tavolinë.
Do të donte…oh sa të donte…të hapte cilindo portal armik, të dëgjonte cilindo analist a gazetar, vetëm e vetëm për ta shpëtuar veten nga intriga që tani po rrezikon ta fundosë.
Neroni kur s’ishte më perandor, por një qen i rrahur i lutej secilit t’ia merrte jetën, por askush nuk ia vinte veshin kërkesës së tij të dëshpëruar. “Si është e mundur që askush nuk është në gjendje as të më shpëtojë e as të ma marrë jetën?” kishte thirrur perandori i çmendur.
Edhe ky camërdhoku ynë i konsumuar nga intriga është gremisur në paralizën e pallatit ku përnjëherësh fuqia e madhe ka mbiprodhuar absurd që nuk eliminohet lehtë.
Kur bërlyken mes vete Kurti dhe ajo që s’ishte asnjëherë presidente, kjo patjetër se e ka atë ndjesinë kënaqësidhënëse kur dy të babëzitur po i bëjnë gropën njëri-tjetrit.
Por e keqja është se kjo garë neveritëse po ngrihet në statusin e dy alternativave të hamamta: disa bëhen me Kurtin e disa me atë që nuk ishte asnjëherë presidente.
Domethënë, votues që do ta kruajnë kokën nëse duhet të zgjedhin mes Kurtit dhe V.O dhe jo aso që mendojnë se duhen të tjerë në vend të kësaj neverie./Nacionale




















