Kapiteni i Milanit, Alessio Romagnoli, e ka pësuar një lëndim të rëndë muskulor dhe si pasojë nuk do të jetë në gjendje të luajë më në pjesën e mbetur të sezonit. Mbrojtësi italian u lëndua në një ndeshje kundër Sassuolos në Serie A të martën, të cilën kuqezinjtë e fituan 2:1 në Mapei Stadium, transmeton Gazeta Express. Ai do të mungojë kundër Atalantas të premten, por jo vetëm kaq, sepse sipas mediave italiane, nuk do të mundë të riaftësohet në kohë për tri ndeshjet e fundit të Milanit këtë sezon.
Trajneri Stefano Pioli nuk do të jetë në gjendje të llogarisë as në Ismael Bennacer e as Theo Hernandez të premten, të cilët janë të pezulluar. “Romagnoli ka problem muskulor i cili mund t’ia pamundësojë të luajë në ndeshjet e mbetura”, Pioli ka thënë për Milan TV.