Nga Mero Baze/
Në kulmin e debatit politik për zgjerimin e ndryshimeve në reformën zgjedhore, duke përfshirë brenda dhe hapjen e listave dhe heqjen e koalicioneve, Presidenti i vendit ka preferuar të hesht. Ndërsa Edi Rama po përpiqet sa mundet të ekspozoj Lulzim Bashën si kundërshtar të listave të hapura dhe njeri që do të sundoj PD përmes pushtetit mbi listën, Ilir Meta por dhe LSI, e kanë shmangur këtë debat.
Natyrisht që ata janë për listat e mbyllura. Po ashtu nuk kanë ndërmend të braktisin Bashën në këtë betejë, sido që të përfundojë ky debat.
Por përpjekja për të mos u bërë pis me debatin kundër hapjes së listave, duket se është një taktikë politike. Por mbi të gjitha ai nuk është një problem i Ilir Metës.
Listat e mbyllura realisht janë një mekanizëm që u shërbejnë vetëm dy kryetarëve të partive të mëdha për të dispilinuar përzgjedhjet e tyre në parti.
Në vitin 2008 ajo ka qenë shumë e nevojshme për Edi Ramën, ndaj dhe në marrëveshjen me Berishën për sistemin, ai ra dakord për për sistemin propocional rajonal me lista të mbyllura. Kjo i jepte atij sigurinë për të vendosur autoritetin në Partinë Socialiste, të cilën e kishte fituar vet, pro ende e kishte të pabindur.
Tani Edi Rama nuk e ka më këtë problem. Sido që ta bësh sistemin, me lista të hapura apo të mbyllura, ai e ka nën kontroll partinë.
E njëjta gjë është dhe me Ilir Metën. Edhe pse ai pati hyrë në grevë urie kundër këtij sistemi, pasi kaloi dy mandate, ai u kthey në mbrojtësin më të madh të këtij sistemi, pasi e përsosi mekanizmin se si ta kontrolloj atë.
Lulzim Basha është i vetmi, që ka nevojë për listat e mbyllura, pasi ai ende nuk e ka të sigurtë listën nëse ajo hapet.
Ndaj e gjithë beteja politike e Edi Ramës, synon të të ekspozoj Lulzim Bashën si një lider të dobët që ka frikë partinë e tij.
Fakti që Ilir Meta nuk flet, dhe nuk po i del në krah Bashës, nuk nënkupton, që ai do ta braktis atë në fund. Eshtë e sigurt se Meta do të bëj koalicion me Bashën, është e sigurt se do jenë bashkë në zgjedhje, me apo pa lista të hapura. Por atij i intereson që Basha të shkoj me sa më shumë të pakënaqur drejt zgjedhjeve, me shpresë se diga e tij do të mbledh të pakënuqurit nga Basha.
Kjo eshte arsyeja pse tani ka preferuar të heshtë dhe të sodis duke pirë raki me veteranët e Mallkastrës, se si mbrohet Basha nga parti e tij, përmes kërkesës për të mos hapur listat. Në fund padyshim që do mbrojë listat e mbyllura, në emër të mos prekjes së marrëveshjes, por deri atëhere Lulzim Basha do jetë drobitur nga beteja për të fituar tenderin e listës. Dhe natyrisht do ta ketë më të vështirë të bëj betejë dhe me Ilir Metën, për pjesën që i takon në koalicion.