Trajneri Stefano Pioli do të qëndrojë në krye të skuadrës së Milanit, pasi e ka rinovuar kontratën e tij me klubin kuqezi. Stefano Pioli pritej të zëvendësohej nga Ralf Rangnick, i cili kishte qenë në bisedime me kuqezinjtë për ardhjen në San Siro si trajner dhe drejtor sportiv i klubit njëkohësisht, transmeton Gazeta Express.
Megjithatë, përfaqësuesit e Rangnick e konfirmuan të martën se bisedimet ishin ndërprerë sepse “nuk është koha e duhur për momentin dhe nuk ka momentum për të bashkëpunuar”. Marc Krosicke gjithashtu e theksoi përmirësimin e Milanit nën Piolin si njërën ndër arsyet. Milani më vonë e konfirmoi se trajneri i tyre aktual, Pioli, ka nënshkruar kontratë të re me klubin, që e mban atë në San Siro deri në qershor të vitit 2022.
“Jam i lumtur dhe krenar për besimin që e kam marrë nga Milani. Dua t’i falënderoj të gjithë, përfshirë këtu tifozët tanë, të cilët po na mungojnë me të vërtetë në stadiume, por janë gjithmonë afër nesh dhe na përkrahin”, ka thënë Pioli.
“Siç e kam thënë shumë hera, e ardhmja është sot. Ne duhet të jemi të përqendruar dhe të përkushtuar, të jemi të bashkuar dhe të luajmë si një i vetëm. Jemi në fillim të një udhe të jashtëzakonshme”.