Presidenti i Tajvanit, Lai Ching-te, ka anuluar një vizitë zyrtare në shtetin afrikan Eswatini, duke akuzuar Pekinin se ka ushtruar presion mbi vendet fqinje për të ndaluar fluturimin e avionit të tij mbi territorin e tyre.

Siç shkruan BBC, një zyrtar nga Tajvani tha se ishujt Seychelles, Mauritius dhe Madagascar i revokuan lejet e fluturimit mbi territorin e tyre pas “presionit intensiv” dhe detyrimit ekonomik nga Kina. Kina i mohoi këto akuza, duke lavdëruar tre vendet afrikane dhe duke thënë se kishte “vlerësim të lartë” për to.

Kjo është hera e parë e njohur publikisht që një lider tajvanez detyrohet të anulojë një udhëtim jashtë vendit për shkak të revokimit të lejeve të fluturimit.

Eswatini, është i vetmi aleat diplomatik i Tajvanit në Afrikë. Ai është një nga vetëm 12 shtetet, shumica vende të vogla në Amerikën Latine ose Paqësor, që e njohin Tajvanin.

Kina ndjek parimin “një Kinë”, sipas të cilit Pekini pretendon sovranitet mbi Tajvanin, megjithëse shumë tajvanezë e konsiderojnë veten një shtet sovran. Pekini e sheh ishullin e vetëqeverisur si një provincë të shkëputur që në të ardhmen do të bëhet pjesë e vendit dhe nuk e ka përjashtuar përdorimin e forcës për ta arritur këtë.

Qeveria kineze ka qenë e zëshme në kundërshtimin e saj ndaj presidentit Lai, të cilin e ka përshkruar më parë si “shkaktar problemesh” dhe “shkatërrues të paqes ndërmjet brigjeve”.