Gjykata e Apelit në Durrës, ka vendosur të pezullojë aktivitetin e saj për një periudhë dy javorë. Kjo pasi dy gjyqtarë të kësaj gjykate janë infektuar nga virusi COVID-19. Nuk është e qartë se nga e kanë marrë virusin dy gjyqtarët, por mësohet se të dy gëzojnë shëndet të plotë, veç simptomës së rritjes së temperaturës. Vendimi për pezullimin e punës së gjykatës për një afat 15 ditor është marrë ditën e sotme dhe se pritet që në ditët në vijim i gjithë stafi i kësaj gjykate, ti nënshtrohen analizave për të mësuar situatën e të prekurve.

Në gjendje pezullimi do qëndrojë dhe Gjykata e Shkallës së Parë Kavajë, pasi gjyqtarët e këtij institucioni ushtrojnë funksionin e tyre, në të njëjtën godinë me gjyqtarët e Gjykatës së Apelit në Durrës. Prezenca e dy gjykatave në një institucion të vetëm u krye për shkak të dëmtimeve të shumta që gjykata e Apelit Durrës pësoi nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Pritet që në gjendje të pezulluar të qëndrojë dhe prokuroria e Kavajës, ku përjashtim do bëjnë vetëm rastet e gjykimeve emergjente për shqyrtimin e masave të sigurisë.