Nga Altin Ketro/
Kur presidenti Meta u gdhi të premten me dëshirën që çështja e ndryshimeve kushtetuese të diskutohej në Këshillin Politik, nuk e ka pritur që pak orë më vonë do të merrte një përgjigje pozitive nga kryeministri Rama. Ky i fundit e shtyu më tej dëshirën e presidentit duke u angazhuar se do të marrë pjesë personalisht në Këshill, madje propozoi që aty të vijë presidenti Meta dhe kryedemokrati Basha. Në këtë linjë, anëtari socialist i Këshillit, Damian Gjiknuri, ofroi si ditë takimi të hënën ose të martën që vjen. Kur presidenti e hodhi këtë çështje për diskutim në Këshill, ka qenë i bindur që mazhoranca do ta refuzonte, duke e quajtur të tejkaluar mbledhjen e Këshillit Politik, pasi ato që u arritën në atë Këshill, mazhoranca ka marrë angazhin se do t’i votojë në Kuvend.
E ndodhur përpara faktit të kryer prej mazhorancës, që jo vetëm pranoi po edhe caktoi datë takimi, opozita u detyrua ta pranojë dhe u dakordësua me ditën e hënë. Në këtë ditë, lideri demokrat, Lulzim Basha, rezulton se ka planifikuar një vizitë në Kosovë. Për të mos e paragjykuar Bashën se gjeti këtë sebep për të mos marrë pjesë vetë në Këshill, si dhe duke e quajtur të rëndësishme vizitën e tij në Kosovë, fakti që zoti Gjiknuri u la si alternativë edhe ditën e martë, tregon se shmangia e Bashës nga takimi nuk është çështje vizite, por pafuqi për t’u ballafaquar në sy me kundërshtarin e tij politik.
Kryeministri Rama do të shkonte në Këshill edhe sikur PD-ja të dërgonte aty rojen e SHQUP-it. Ai ka dhënë shembuj që nuk i shmanget asnjë ballafaqimi me palën tjetër dhe nuk përpiqet që t’i kushtëzojë opozitës së cilët delegon si përfaqësues të sajët. Duke qenë se kemi të bëjmë me ndryshime kushtetuese të cilat kanë lidhje edhe me interesat e opozitës jashtëparlametare, kjo e fundit duhet ta kishte vlerësuar më shumë prezencën e kryetarit të PS-së duke u përfaqësuar edhe vetë me nivelin e saj më të lartë. Të mos marrësh përgjegjësi për të ndarë me palën tjetër pikëpamjet dhe qëndrimet e tua, duke ia besuar përfaqësimin një rangu më poshtë, por që nuk ka fuqi vendimtare për të thënë PO në rast të një oferte kompromisi pa komunikuar më parë me sms me liderin e partisë, do të thotë që nuk je fare serioz dhe as nuk ngjall pikën e frymëzimit për të parë tek ti një lider të vërtetë që i mbron interesat e opozitës me personalitetin tënd.
Në një situatë imagjinare, me politikanë të përgjegjshëm, takimi i së hënës, le të themi i së martës, duhet të kishte këtë prezencë: Mazhoranca me Ramën, Ballën dhe Gjiknurin, opozita parlamentare me Hajdarin, Murrizin, dhe Gjonin, opozita jashtëparlamentare me Bashën, Bardhin, Bylykbashin, Kryemadhin dhe Vasilin, opozita presidenciale me Metën, Dervishajn dhe Blushin. Raporti do të ishte 3:3:8, por besoj se kryeministri Rama nuk do e kishte fare problem edhe këtë raport forcash në dëm të vetë.
Po le të kthehemi tek realiteti i prekshëm, ku tashmë dihet se cilët janë palët pjesëmarrëse. Duhet theksuar se zonja Hajdari ka refuzuar të marrë pjesë në këtë takim duke e argumentuar se kjo temë është diskutuar më parë në Këshill dhe dihet qëndrimi i opozitës jashtëparlamentare. Ajo dyshon tek ndonjë pazar midis Ramës dhe Bashës dhe këtë e gjen si sebep për të mos shkuar. Në fakt, kjo është një qasje e gabuar prej saj. Duke qenë se në Këshill do të diskutohet pikërisht kauza më kryesore e opozitës parlamentare, e mira është që ajo ta mbrojë fort këtë kauz edhe përpara “mëkëmbësit” të Bashës, Gazment Bardhi. Çështjen e nxehtë të listave të hapura, pra mbrojtjen e tyre, opozita parlamentare nuk mund ta lërë në dorë të kryeministrit Rama, sa kohë është vetë nismëtare e saj. Kjo opozitë nuk duhet të lërë vend dhe takim pa e mbrojtur, edhe nëse është diskutuar një mijë herë, po një mijë herë është e dënuar që ta mbrojë, kudo dhe kurdo.
Nga ana e tij, presidenti Meta, thjesht deshi të testojë mazhorancën dhe duket që nuk do marrë pjesë. Ai është i gatshëm që të takohet çdo ditë për këtë temë me Lulzim Bashën, takime të kota e pa asnjë vlerë, por që nuk kuptohet se përse qëndrimet e tij të hapura prej një opozitari, nuk i shfaq edhe tek tryeza e Këshillit. Kryeministri Rama ia ka njohur rolin prej opozitari dhe e pranon si të tillë.
Fakti që Lulzim Basha nuk merr pjesë, fakti që presidenti Meta nuk duket i interesuar, fakti që edhe zonja Hajdari nuk do të jetë, produkti i ditës së hënë do të jetë një vrimë në ujë. “Mëkëmbësi” Bardhi do kërkojë që mazhoranca të votojë marrëveshjen e 5 qershorit dhe asnjë hap tjetër a thua se i ka votat ta bëjë këtë, kurse kryeministri Rama do t’i thotë që atë marrëveshje s’e miraton dot pa votat e opozitës parlamentare që kërkon lista të hapura. Prandaj, ngritja e nivelit të përfaqësimit politik edhe nga palët e tjera, natyrisht që do të jepte shpresa për një kompromis.Kryeministri Rama e pranoi propozimin e presidentit për diskutim në Këshill dhe kjo e nxjerr të larë përballë palës kundërshtare. Dështimi i kompromisit i mbetet në derë opozitës jashtëparlamentare dhe asaj presidenciale, që nuk iu përgjigjën me dinjitet vullnetit të mirë të kryeministrit për të qenë edhe krerët e saj pjesë e tryezës, për të mos ia ulur vlerat kësaj çështje me rëndësi të lartë politike duke e trajtuar negociatën si “telefon i prishur”. (TemA)