Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme, Mimi Kodheli, deklaroi sot se “Presidenca e BE-së nga Gjermania, si një nga mbështetësit kryesorë të progresit të Shqipërisë në rrugën e zhvillimeve demokratike dhe aleatët me solidë të çështjes shqiptare në përgjithësi, është sot me një rëndësi të veçantë edhe për ne”. Kodheli tha se “ajo është për Shqipërinë, sikurse dhe për vendet e tjera të rajonit, garantja me e sigurt për vijimësinë në kuadrin e proceseve tashmë edhe me të vështira integruese në Bashkimin Europian”.

“Sot, në 1 korrik, Gjermania merr presidencën e Bashkimit Europian, të cilën ajo do ta mbajë për gjashtë muaj, deri në dhjetor të këtij viti. Kryesimi i BE-së nga shteti më i fuqishëm europian në këto momente ka një rëndësi jetike për Europën”, tha ajo. Kodheli u shpreh se “në situata të jashtëzakonshme nevojiten udhëheqës të jashtëzakonshëm dhe për këtë arsye presidenca gjermane është absolutisht ajo e duhura”.

“Ajo vjen pas kolapsit të gjithanshëm që erdhi si pasojë e krizës së pandemisë COVID-19, e cila preku në mënyrë dramatike Europën (e jo vetëm). Gjermania do të marrë kështu detyrën por dhe përgjegjësinë për të kryesuar vendet europiane drejt ndryshimeve në të gjithë aspektet, ekonomike, politike, sociale etj. Presidenca gjermane duhet të rigjejë vendin e duhur dhe të rivendosë BE-në në balancën gjeopolitike botërore në momentet aktuale të një rivaliteti të ashpër midis SHBA-ve dhe Kinës sikurse dhe të rritjes së influencës së faktorëve të tjerë”, tha ajo.

Kodheli tha se “Gjermanisë i bie barra të drejtojë strategjitë dhe masat e domosdoshme për rimëkëmbjen e ekonomisë së gjunjëzuar të vendeve europiane, rigjallërimin e jetës sociale dhe ripërtëritjen e besimit të tronditur thellësisht”.

“I urojmë Gjermanisë sukses të plotë dhe kurajo në përmbushjen e këtij misioni të jashtëzakonshëm por jo të pamundur për një shtet me kapacitete të jashtëzakonshme si ajo”, tha Kodheli.