Presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, ka folur rreth thashethemeve për të ardhmen e Lionel Messit, duke këmbëngulur se superylli argjentinas do të mbetet në klub deri në përfundim të karrierës së vet. Bota e futbollit mbeti gojëhapur javën e kaluar kur Cadena SER shkroi se Messi është i gatshëm ta braktisë Barcelonën sapo t’i mbarojë marrëveshja verën e kaluar.

Messi është shumë i pakënaqur me mënyrën sesi po udhëhiqet klubi në këtë kohë dhe dëshmi për këtë është ndërprerja e bisedimeve për vazhdimin e kontratës. 33-vjeçari ende nuk i ka komentuar vetë këto thashetheme për të ardhmen, edhe pse heshtja e tij flet vet dhe besohet se është votë mosbesimi në udhëheqësinë e Bartomeut, pozita e së cilit është në rrezik si rrjedhojë.

Zgjedhjet presidenciale në klub, të caktuar për vitin e ardhshëm, mund të mbahen më herët me shpresën se mund ta qetësojnë Messin dhe ta parandalojnë largimin e njërit prej futbollistëve më të mirë në histori nga largimi prej klubit në të cilin e ka kaluar gjithë karrierën. Kjo është hedhur poshtë nga Bartomeu, i cili mbetet i bindur se Messi do të nënshkruajë kontratë të re dhe do të luajë për Barçën deri kur të pensionohet.

“Nuk do të jap detaje, por Messi e ka thënë shumë herë se karrierën si futbollist do ta përfundojë në Barcelonë”, tha Bartomeu. “Ne jemi të përqendruar në garë dhe ka bisedime me shumë lojtarë. Messi dëshiron të vazhdojë këtu dhe ta përfundojë karrierën këtu. Ai ka ende shumë vjet për të luajtur dhe ne do ta shijojmë atë për shumë më gjatë”, shtoi ai.