Analisti Albatros Rexhaj vlerëson se kërkesa e gjyqtarëve dhe prokurorëve për rritje pagash, e adresuar përmes vendimeve gjyqësore, përbën një problem serioz kushtetues dhe cenon parimin e ndarjes së pushteteve.

Gjatë një interviste me emisionin Sot Live në Shqipëri në Report TV Rexhaj tha politikat fiskale dhe menaxhimi i buxhetit janë kompetencë ekskluzive e qeverisë dhe Kuvendit, të cilat kanë mandatin e dhënë nga qytetarët për të vendosur mbi shpenzimet e shtetit. Ai thekson se gjyqësori nuk mund të marrë vendime që prekin drejtpërdrejt arkën e shtetit, sidomos kur bëhet fjalë për përfitime për veten.

“Nëse gjyqtarët dhe prokurorët kanë pretendime për rritje rrogash ata duhet t’i drejtohen Kuvendit dhe popullit. Por, jo me vendime gjykatash! Sepse nëse gjykata merr një vendim për veten, kjo jo vetëm që është konflikt interesi por edhe ndërhyrje në kompetencat kushtetuese të ekzekutivit dhe parlamentit. Nuk e kuptoj pse e bëjnë këtë betejë të kotë e të panevojshme. Bërthama e asaj që thotë kryeministri qëndron. Ne emër të mazhorancës dhe vullnetit që i ka dhënë populli vendos për kuletën e shtetit” tha ai.

Sipas Rexhajt, përpara çdo kërkese financiare, sistemi i drejtësisë duhet të rikthejë besimin e shoqërisë dhe të adresojë atë që ai e quan “borxh moral” ndaj qytetarëve.

“Sistemi i drejtësisë ka shumë mëkate dhe ato nuk shpërlahen me një vetting. Në vend që të kërkojnë rritje pagash në këtë formë… unë skam problem me rritjen por me mënyrën e kërkesës ndoshta më e udhës është që të kthejnë borxhin moral që kanë ndaj shoqërisë shqiptare. Vazhdimisht popullit shqiptar i është bërë padrejtësi në sistemin gjyqësor, zvarritja e proceseve, paraburgimet, e kanë zbehur besimin e njerëve në sistem” tha ai

Rexhaj kritikoi faktin se paraburgimi po përdoret në mënyrë abuzive, duke mbajtur njerëz për një kohë të gjatë pa gjyq, gjë që i bën ata të duken fajtorë në sytë e publikut. Ai theksoi se burgu nuk është institucion edukativ dhe se qytetarët kanë të drejtë për gjykim të shpejtë dhe trajtim dinjitoz, ndaj sipas tij qeveria duhet të ndërhyjë me ndryshime ligjore për të kufizuar kohën e trajtimit të çështjeve, veçanërisht atyre civile.