Kryeministri Edi Rama tha sot se Kuvendi nuk po e shfrytëzon rastin që PD dhe LSI nuk ndodhen në sallë, por përkundrazi i përfshiu ata në procesin e reformës zgjedhore. Kjo sipas Ramës vjen pasi mazhoranca e njeh opozitën jashtë parlamentare si një realitet politik. Kryeministri tha se ai vetë do ta votojë marrëveshjen e 5 Qershorit me mendje, por jo me zemër. “Kjo është Partia Socialiste dhe jo siç na akuzojnë për diktaturë. Po të ishim sic na thonë ata në përralla e legjenda, do thonim se erdhi momenti ta shfrytëzojmë rastin e vetëpërjashtimit të tyre nga Parlamenti” – tha Rama.

Ai falenderoi opozitën parlamentare teksa u shpreh se Rudina Hajdari u tregua bashkëpunuese duke e firmosur marrëveshjen.

Më herët Rama shkruante në Facebook: “Vota e sotme për marrëveshjen e 5 qershorit me opozitën jashtëparlamentare, që garanton gjithëpërfshirjen në administrimin e zgjedhjeve dhe vota e 30 korrikut për marrëveshjen me opozitën parlamentare, që garanton Hapjen e Listave për të dëgjuar më shumë zërin e qytetarëve, janë një provë e madhe e qëndrimit të Partisë Socialiste në krah të shqiptarëve, pa dallim partish e anësish politike”.