Sot nisën punimet për rindërtimin e banesave individuale në Farkë, të cilat pësuan dëmtime të rënda nga tërmeti i 26 nëntorit.

Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj morën pjesë në vendosjen e tullës së parë të ndërtimit të banesës së familjes së Ardjan Allaraj, ndërsa në familjen Dashamir Paci nisi puna për pastrimin e terrenit për të filluar edhe aty rindërtimi.

“Jemi tek 53 shtëpi që u është lidhur kontrata; 20 shtëpi që janë 3+1; 20 shtëpi të tjera që janë 2+1 dhe pastaj kemi 13 shtëpi që janë 1+1 që janë familje më të vogla. Afatin e ka për 8 javë. Do vijojmë me këtë ritëm deri sa t’i mbarojmë këto 53, që është vetëm loti i parë”, tha Veliaj.

Kryeministri Rama e cilësoi një ditë të shënuar nisjen e punimeve për rindërtimin e banesave të reja dhe siguroi edhe familjet e tjera për strehimin brenda një kohë të shkurtër në shtëpitë e tyre të reja. “Kjo është një ditë e shënuar, sepse më në fund , pasi janë bërë të gjithë konstatimet, verifikimet, riverifikimet e ankesave , planifikimet, projektimet, prokurimet, fillojmë vendosim tullat, muret, fillojmë të hapim segmentin e fundit të rrugës së rindërtimit. Dua t’u them të gjithë familjeve që sot jetojnë ende në çadër, që sot janë ende në shtëpi me qira, këtu nga kjo pikë e Tiranës që nëse këto familje do të hyjnë në shtëpitë e tyre shumë shpejt, me siguri, deri në 26 nëntor , shumë e shumë të tjerë do jenë në shtëpitë e tyre, për ta kujtuar këtë vit si një vit i cili ndryshon jetën e tyre, pasi do jenë në shtëpi shumë më të mira, më të forta, me kushte absolutisht të tjera dhe do jenë në zonat, ku ndërtimi do të bëhet si një lagje e re, në një hapësirë komunitare, me krejt të tjera mundësi, shërbime e cilësi jete”, theksoi Rama.

Rama theksoi se gjer për vit të ri një pjesë e konsiderueshme e familjeve do të gëzojnë në banesat e reja, ndërsa tha se puna do të vijojë edhe me lagjet e reja dhe pallatet. “Edhe pak durim, tashmë shkollat janë të gjitha në fazë rindërtimi sa u takon shkollave që financojmë ne, së shpejti fillojnë edhe shkollat që financohen nga BE , ndërkohë që në një sërë pikash kemi filluar infrastrukturën për ato lagjet e reja dhe po punojmë intensivisht për projekt-zbatimet e lagjeve me banesa kolektive, pra me pallate. Jam i bindur se megjithëse na pengoi shumë COVID-19 dhe shpresoj shumë që të gjithë ju dhe ne sëbashku ta luftojmë budallallëkun, në mënyrë që ta shmangim një rritje të atillë numrash që larg qoftë të na çojë prapë në situata mbyllje etj , t’ia dalim që vitin e ri, një pjesë e konsiderueshme e familjeve, ta gëzojnë bashkë me fëmijët”, tha Rama.

Një tjetër ndalesë ishte dhe në familjen e madhe Qordja, ku para tërmetit katre kurora jetonin në një banesë. Por ashtu siç pati premtuar kryeministri dhe kryebashkiaku Veliaj, çdo kurorë do të ketë edhe një banesë të sajën personale. “Edhe pse keni qenë katër kurora në një shtëpi. Do merrni katër shtëpi. Çimi është dhe kryetar i Partisë Demokratike. Me Çimin në fushatë jemi përballë, kurse në tërmet jemi bashkë me ndërtuar”, u shpreh Veliaj .

Kreu i qeverisë nënvizoi se pavarësisht dallimeve politike, nga rindërtimi do të përfitojnë të gjithë. “Demokracia ka dhe një gjë, ju na shani, ne i ndërtojmë për ju . Po s’na shatë ju ne nuk e mbledhim dot mendjen fort. Sa më shumë që na shani ju, aq më shumë na motivoni kështu që nga një shtëpi, katër shtëpi. Koalicion shpish. Mos u ankoni se nuk lejohen koalicion, koalicionet lejohen. Të gjithë bashkë, por secili në çatinë e vet që të mos krijohet sherr brenda për brenda”, deklaroi Rama.

Krahas rindërtimit të banesave individuale brenda dhe jashtë zonave të reja për zhvillim, ka filluar puna dhe për ndërtimin e rikonstruksionin e infrastrukturës publike dhe çdo ndërhyrje tjetër në funksion të rindërtimit të banesave individuale të dëmtuara nga tërmeti i 26 Nëntorit në njësinë Administrative Farkë.