Kapiteni i Real Madridit, Sergio Ramos, e ka lavdëruar trajnerin e tij Zinedine Zidane, duke e quajtur atë unik dhe duke thënë se francezi e shndërron në ar çdo gjë që e prek, pasi klubi madrilen e fitoi titullin e La Ligës. Real Madridi e priti Villarrealin në ndeshjen e zhvilluar të enjten në Santiago Bernabeu, duke qenë i vetëdijshëm se një fitore në këtë ndeshje do t’ia fitonte titullin e kampionit të Spanjës për herën e tretë këtë dekadë.
Karim Benzema e shënoi golin e parë të ndeshjes, ndërsa ai e dyfishoi rezultatin në minutën e 77-të, pas një penalltie të fituar nga Sergio Ramos. Ndërsa, Villarreali e bëri një tentim për t’u kthyer në lojë përmes golit të shënuar nga Vicente Iborra në fund. Në intervistën e dhënë pas ndeshjes, Ramos e shprehu shpresën e tij se trajneri i tij 48-vjeçar do të qëndrojë në Real Madrid edhe për një kohë të gjatë.
“Gjithçka që Zidane prek shndërrohet në ar. Ne besojmë në të dhe në punën e tij. Ai është personi që e bën dallimin. Ai është një lloj personi që u beson lojtarëve dhe këtë e bëjnë shumë pak”, ka thënë Ramos.
“Ne shpresojmë se ai do të qëndrojë këtu për një kohë shumë të gjatë, ai është unik”.
Ndërsa, kur u pyet për të ardhmen e vet, pasi që po hyn në vitin e fundit të kontratës së tij në Bernabeu, Ramos tha: “Do të jem i kënaqur me çfarëdo që do të dojë presidenti. Do të më pëlqente ta përfundoja karrierën këtu”.
“Nuk mendoj se do të ketë ndonjë problem, as për mua e as për presidentin”.