Në fundjavë, plazhet e Gjirit të Lalëzit mbushen plot me pushues dhe qendra verore shëndetësore është në dispozicion të çdo shqetësimi, por këtë sezon përparësi ka protokolli i sigurisë anti-covid19 dhe kufizimi i përhapjes së infeksionit nga SARS-CoV-2. Identifikimi i rasteve të dyshuara dhe referimi i tyre është pjesë e punës, po dhe e përball personelin me rrezikun e infektimit. ”Kjo është një periudhë e vështirë edhe për ne në Qendrën Verore. Për të gjithë. Përpiqemi të bëjnë jashtë një tirazhim të vogël dhe pastaj t’i fusim brenda për t’i ofruar shërbimin e nevojshëm.
Kemi pasur disa raste të dyshuara që i kemi referuar sipas udhëzimeve të Ministrisë. Kemi pasur banorë të zonës që pas referimit po ndiqen nga mjekja e lagjes në distancë, po dhe pushues ditorë nga Tirana, që nuk ndjehen mire dhe janë paraqitur pranë Qendrës e pasi u është bërë anamneza, janë vlerësuar e dyshuar, këto raste janë referuar.” Temperaturat e larta të verës e vështirësojnë mbajtjen e veshjeve mbrojtëse gjatë të gjithë orarit 24-orësh të shërbimit, po dhe pse i ekspozuar ndaj rrezikut personeli është në krye të detyrës duke respektuar masat bazë të protokollit të sigurisë.
”Hapësirat në qendrën shëndetësore janë të vogla dhe kontakti me pacientin shumë i afërt. Nuk mund të mbajmë gjithë kohës dhe mbrojtjen. Është shumë vapë, por mbrohemi duke mbajtur maskën, dorezat dhe distancimin fizik aq sa është i mundur.”
Mjekja ka një apel për të gjithë. ”Pacientët duhet të kuptojnë situatën dhe të jenë më të përgjegjshëm. Kur vijnë te mjeku të paraqiten minimalisht me një maskë. Të kujdesen për shëndetin e familjarëve dhe të personelit shëndetësor kur paraqiten në qendër. “