Rezultatet e rëndësishme që kanë prodhuar reforma në drejtësi, reforma në administratën publike dhe lufta ndaj korrupsionit ishin thelbësore në vendimin e Bashkimit Europian për të hapur negociatat me Shqipërinë.

Avancimi në këto reforma u konfirmua një ditë më parë edhe nga “Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim” (OECD), e cila publikoi një raport të detajuar që skanon arritjet e vendeve të Ballkanit Perëndimor në çdo fushë, nga ekonomia, tek drejtësia, korrupsioni, mirëqeverisja dixhitale, shëndetësia, arsimi e shumë të tjera.

Në kapitullin e parë të raportit, OECD analizon rezultatet e secilit shtet në zbatimin e 6 reformave kyçe.

Raporti vlerëson se Shqipëria, edhe pse e barazuar me të tjerë, është e para në rajon në zbatimin e dy reformave kyçe, në fushën e anti-korrupsionit dhe në reformën në administratën publike.

Sa i përket luftës kundër krimit të organizuar, Shqipëria renditet në të njëjtin nivel me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, përpara Kosovës dhe Bosnjes, por përsëri e dyta pas Malit të Zi.

E njëjta situatë ekziston edhe në ekzistencën e një ekonomie funksionale të tregut të lirë, ku Shqipëria është përsëri e dyta pas fqinjëve tanë lindorë.

Reforma në drejtësi vlerësohet pozitivisht nga OECD, por në këtë drejtim vendit i duhet ende punë. Pikë së pari për të përmirësuar përceptimin e publikut, pasi vetëm 17% e shqiptarëve besojnë sot se drejtësia është e pavarur dhe e paanshme.

Funksionimi aktual i gjyqësorit vlerësohet në të njëjtin nivel me atë të Serbisë, por pas Malit të Zi dhe Maqedonisë Veriore. Zbatimi i plotë i reformës në drejtësi dhe nisja e punës me ritëm të plotë nga instituciuonet e reja të drejtësisë është e vetmja mënyrë për t’u ngjitur në renditje.

E fundit, sipas OECD, Shqipërisë i duhen ende përpjekje për të qenë në gjendje që ekonomia e saj të përballojë konkurrencën e tregjeve europiane, në eventualitetin e anëtarësimit në BE.