Në qytetin e Shijakut kanë nisur punimet për rikonstruksionet e pallateve të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit. Kryetari i bashkisë Elton Arbana bën të ditur që fillimisht janë zgjedhur administratorët e pallateve.

Dëmshpërblimi nga Grantet e akorduara nga Kryeministri dhe Qeveria shqiptare, po përdoret për riparimin e pallateve në mënyrë të organizuar nga disa firma ndërtimi të zgjedhura nga vetë administratorët. Gjithashtu në Këshillin Bashkiak është kaluar lista e personave që kanë aplikuar me hapjen e dytë të aplikimeve në platformën “Shtëpia ime”, për grante nga dëmshpërblimet e tërmetit. Platforma “Shtëpia ime” është hapur për herë të dytë për t’i dhënë mundësinë e regjistrimit të shtëpisë së dëmtuar të gjithë qytetarëve që nuk kanë aplikuar në fazën e parë, deri më 28 shkurt ku u bë dhe mbyllja e aplikimeve.

Kryebashkiaku Arbana ka thënë se Bashkia ka punuar intensivisht dhe pse në kushtet e situatës së pandemisë, për të bërë vlerësimin e çdo dosjeje dhe ka përfunduar me sukses dhe këtë fazë tjetër, në një kohë shumë të shpejtë, për të mos vonuar qytetarët të marrin dëmshpërblimet. Ai gjithashtu thekson se kjo është një mundësi e mirë falë kryeministrit Rama dhe qeverisë shqiptare që askush nga familjet e dëmtuara nga tërmeti të mos mbetet pa marrë dëmshpërblimin sipas dëmit të shtëpisë.