-“Rindërtimi do të jetë një faqe e bukur e punës sonë të stërmundimshme (e jo pa të meta) për të ndërtuar një Shqipëri më të mirë, më të drejtë, më të bukur se ajo që trashëguam 7 vjet më parë dhe një shembull që të kujtohet gjatë, për transformimin e jashtëzakonshëm social e urban që do të sjellë, aty ku në 26 nëntor fatkeqësia e madhe goditi fort duke sjellë vdekje, plagë e ankth për të nesërmen, e cila do të jetë shumë më e ndritur se e djeshmja për mijëra familjet e prekura nga ajo fatkeqësi, pa dallim bindjeje politike, prejardhjeje krahinore apo statusi social”, u shpreh sot kryeministri Edi Rama. Kreu i qeverisë, Rama reagoi sot ndaj komenteve të qytetarëve në lidhje me ndërtimin e një shtëpie të prishur nga tërmeti i 26 nëntorit.
“Çudi e madhe. Duke ndjekur komentet tuaja në makinë gjatë kthimit në zyrë pasi vumë tullën e parë të Rindërtimit sot, më ra në sy që disa nga ju kapeshin tek “4 fijet e hekurit” të kolonës mbajtëse të shtëpisë, duke përqeshur, sharë e deri edhe mallkuar, sepse sipas tyre, shtëpia do binte nga era, paratë ishin vjedhur, njerëzit ishin mashtruar, etj”, theksoi Kryeministri Rama. “Po si ka mundësi si(!), si ka mundësi që mllefi, verbëria, padurimi a ku di unë se çfarë, t’i shtyjnë disa deri në këtë pikë dhe të mos e kuptojnë as vetë se sa qesharakë bëhen, kur fjala e keqe u vjen si kryefjala e mendimit të tyre edhe kur, dreqi e mori, shohin një punë të mirë!”, shton Rama.
“Po si ka mundësi që edhe njerëz që punojnë, djersijnë, jetojnë me mundin e tyre, kur vjen puna për të parë punën e të tjetrit a tonën në këtë rast, verbohen dhe prishin gojën pa asnjë gajle pavarësisht se sa e gabuar është ajo që thonë!”, nënvizon Rama. “Po si ka mundësi që dikujt të mund t’i shkojë mendja se kjo “kolonë me 4 fije hekur” na qenka prova e të gjitha të këqijave, kur në fakt është thjesht skeleti i kolonës, që mbushet me hekur!”, thotë kreu i ekzekutivit. Por, thekson ai, “nuk kam se si të mos i justifikoj në fund këta njerëz që flasin këtu kësisoj, kur shpifjet, sajesat e sharjet, janë kthyer prej kohësh në normë komunikimi në hapësirën e debatit publik, politik e mediatik – për turpin e faqen e zezë të atyre që pushtojnë kanalet e portalet nga lartësia e një paturpësie marramendëse, duke krejt gabimisht “dele” këtë popull që të jep ujë në bisht të lugës!”.