Në 5 muajt e parë të këtij viti u eksportuam rreth 1200 tonë prodhime shqiptare të akuakulturës drejt tregjeve të BE-së. Kështu bëri të ditur sot Kryeministri Edi Rama, teksa publikoi një video nga puna në fermat e akuakuluturës “Alb-Adriatico 2013” dhe “Al Marina” në Gjirin e Vlorës. “Ndërkohë përmes programeve mbështetëse, vijojmë të financojmë direkt industrinë e peshkimit, e cila në 5 vitet e fundit është rritur më shumë se në 25 vitet e mëparshme të marra së bashku”, – tha Rama.

Ndërsa ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, i cili inspektoi nga afër këto ferma në Gjirin e Vlorës tha se “sot ne pak a shumë prodhojmë rreth 4 mijë tonë peshk nëpërmjet akuakulturës dhe është një raport diku 50% me peshkimin në det. Nëpërmjet fondeve të Bashkimit Europian kemi bërë studim pikërisht në të gjithë sektorin dhe kemi arritur në konkluzionin që kapaciteti i Shqipërisë për akuakulturë është rreth 10 mijë tonë, në det”. “Është një ekonomi e jashtëzakonshme. Shqipëria ka filluar të jetë konkurrente në tregjet europiane dhe garancia këtu është që ka një sistem gjurmueshmërie që kur vjen rasati dhe deri kur shkon në markatë, qoftë në Itali, Angli apo kudo që shitet. Gjithë ky sistem gjurmueshmërie rrit standardin në majat e sigurisë ushqimore”, – tha Çuçi.

Aktualisht nga subjektet e akuakulturës në Gjirin e Vlorës prodhohen rreth 3200 tonë peshk, ndërsa investimet e kryera në stabilimentet e prodhimit vlerësohen në rreth 25 milionë euro. Tendenca zhvillimit të akuakulturës në botë vlerësohet me rreth 20% rritje. Edhe në Shqipëri prej vitit 2014 akuakultura është rritur me rreth 48%.