Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) bën me dije se së shpejti do të nisë një investim i rëndësishëm në sektorin e transportit që do përmirësojë jetën e qytetarëve. Ky investim do të lehtësojë transportin e qytetarëve të cilët do kenë mundësi që të presin biletat online përmes telefonit, të zgjedhin shërbimin më të mirë, të udhëtojnë me më pak kosto. Projekti do të formalizojë tregun e transportit ç’ ka do të rrisë cilësinë e shërbimit për qytetarët dhe do të rrisë të ardhurat në buxhetin e shtetit.

Nga ana tjetër, investimi do të largojë përfundimisht informalitetin në këtë treg duke ndihmuar biznesin e transportit të ulë kostot dhe të rrisë konkurrencën në të mirë të qytetarëve shqiptarë. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor dhe AKSHI do të zbatojnë së shpejti e-transport për t’i dhënë zgjidhje këtyre problematikave në transportin ndërqytetës, si ;

Rrjetit aktual me dublikime, i copëzuar;
Mungesës të së dhënave reale mbi fluksin e udhëtarëve; Mungesës së funksionimit të terminaleve (edhe në qytetet kryesore); Mungesës së organizimit të agjencive private;
Mungesës së stacioneve të qëndrimit; Mungesës së informacionit për pasagjerët mbi linjat dhe oraret; Tregut informal të shërbimit dhe mundësisë për evazion fiskal;
Shfrytëzimit të ulët të kapaciteteve dhe ndotjes së lartë të mjedisit; Mungesës së iniciativave lehtësuese për nxitjen e investimeve në flotën e mjeteve; aksidentet rrugore. Me anë të këtij projekti synohet t’u jepet zgjidhje këtyre problematikave:

Krijimi i një database elektronike me të gjitha të dhënat dhe dokumentacionin e subjekteve të transportit ndërqytetës; Krijimi i llogarive për shoqëritë e transportit ndërqytetës, Njësisë Menaxhuese të Terminalit dhe Agjencisë së Biletave; Aplikimi online ne portalin e-Albania për licencim/certifikim; Monitorimi i subjekteve nëpërmjet migrimit të të dhënave për zbatimin e kushteve të përcaktuara në licencë (oraret, frekuenca, itinerari); Mundësia e gjenerimit të skemave të subvencionimit të operatorëve; Përdorimi i të dhënave të e-transport për prerjen e biletave nga agjencitë, aplikacioneve të ndryshme ose pajisjeve të tjera;
Përdorimi i të dhënave mbi fluksin për miratimin e linjave, orareve; Integrimi me sisteme të treta. Sa më sipër, projekti e-transport, do të sjellë formalizmin e rrjetit të transportit ndërqytetës duke rritur cilësinë e ofrimit të shërbimit për qytetarët dhe turistët. Me anë të dixhitalizimit të këtij procesi, do të behet e mundur prerja e biletës edhe online nëpërmjet çdo telefoni apo kompjuteri, duke shmangur në ketë mënyrë vajtjen në terminalin kryesor dhe gjendjen përpara faktit ku mjeti i transportit që niset në atë orar nuk ka vende të lira.

E-transport do të ndërlidhet në të ardhmen e afërt edhe me sistemin elektronik për menaxhimin e transportit brenda qytetas duke bërë të mundur blerjen e biletave të ndërthurura me një çmim më të lirë se sa blerja e tyre në mënyrë të veçantë. Sistemi do të ofrojë edhe blerjen e biletave javore ose mujore me qëllim uljen e transaksioneve të kryera nga udhëtari.

Blerja e biletave nëpërmjet një sistemi elektronik sjell:

Formalizim të tregut të transportit ndërqytetës; Rritje të ardhurash për arkën e shtetit nëpërmjet mbledhjes reale të taksave; Lehtësim për udhëtaret në blerjen e biletave të veçanta ose të ndërthurura; Mundësi planifikimi fluksi nga ana e shoqërive të transportit ndërqytetës; Kontroll me efikas i shoqërive të transportit ndërqytetës nga ana e institucioneve shtetërore; Statistika për numrin e udhëtareve për secilën linje me qëllim koordinimin e investimeve te shoqërive te transportit dhe te vete administratës shtetërore. Projekti e-transport do të sjellë gjithashtu edhe dixhitalizimin e procesit të aplikimit, trajtimit, dhe miratimit ose refuzimit të pajisjes me licencë transporti te shoqërive te transportit ndërqytetës. I gjithë procesi do të kryhet online, ku tashmë të gjithë qytetaret dhe bizneset janë të ndërgjegjshëm për efektet pozitive që vijnë nga kjo mënyrë ofrimi shërbimi:

Ulje kostosh;
Shërbim më i shpejtë; Aplikim online nga kudo dhe kurdo, duke mos u shqetësuar nëse ka kaluar ora 16:30 e mbylljes se zyrave te institucionit, apo për largësinë qe ka nga zyra e biznesit. Vlera e përafërt e përllogaritur për implementimin e sistemit e-transport është 138 746 900 lekë, dhe në përputhje me dispozitat e VKM-së nr. 710, datë 21 gusht 2013, “Për Krijimin dhe Funksionimin e Sistemeve tё Ruajtjes sё Informacionit, Vazhdueshmërisë sё Punës dhe Marrëveshjeve tё Nivelit tё Shërbimit” mirëmbajtja do të jetë për një periudhe 4 (katër) vjeçare me një vlerë të përafërt të përllogaritur 60 001 333 lekë.