Segmenti Milot-Fier, pjesë e Korridorit Adriatiko-Jonian, do t’i shtohet hartës së infrastrukturës rrugore të Shqipërisë. 115 kilometrat e këtij segmenti do të përshkruhen për 75 minuta, në një rrugë me standardet më të larta, e cila do të lehtësojë jo vetëm qarkullimin e brendshëm, por edhe bashkëpunimin rajonal dhe europian të transportit. Në prezantimin e projektit për segmentin Milot-Fier, pjesë e Korridorit Adriatiko-Jonian, Kryeministri Edi Rama u shpreh se “kjo është një vepër e madhe strategjike, një aks rrugor që bën pjesë tek ëndrrat, shpresat dhe premtimet e të gjitha viteve, qysh se premtimi u shfaq në hapësirën e pluralizmit”.
“Faktikisht ne e kemi shpallur ambicien tonë për Korridorin Blu qysh në krye të herës dhe Korridori Blu është vendosur në tryezën e procesit të Berlinit, është kthyer në një prioritet për procesin e Berlinit, më pas është bërë i mundur financimi për mbështetjen teknike për fillimin e punës për këtë korridor. Duke parë vit pas viti ngadalësinë e madhe dhe hendekun e madh mes çka në procesin e Berlinit është vendosur në tryezën politike dhe çka burokracia më pas dhe mekanizmat e pashmangshëm të burokracisë europiane kanë sjellë si rezultat, ne hodhëm një hap dhe bëmë në fakt atë që edhe vende të tjera në rajon kanë zgjedhur të bëjnë, duke mos pritur në pafundësi por duke vepruar”, tha Rama.
Rama tha se “ne zgjodhëm PPP-të si një mekanizëm financimi për dy pjesë të këtij Korridori të cilat kanë një rëndësi strategjike në vetvete, aksit Milot-Balldren dhe Thumanë-Kashar”. “Bëhet fjalë për dy koncesione të sulmuara egërsisht dhe pafytyrësisht nga kundërshtarët e çdo pune dhe çdo përpjekjeje për ndryshim që ne jemi përpjekur të bëjmë në gjithë këto vite”, tha Rama. Ai theksoi se “më pas, në kushtet e një situate të re të krijuar kur ne u angazhuam për Paktin për Universitetin, vendosëm të spostojmë të gjithë volumin e financimit për Thumanë-Kashar në drejtim të krijimit të një hapësire të re fiskale në funksion të transformimit të të gjitha kushteve të jetesës dhe mësimit të studentëve”.
“Faktikisht në bashkinë e Tiranës jemi duke punuar dhe shumë shpejt do të fillojmë procesin e garës për kampusin e ri universitar, për Akademinë e Sigurisë edhe për Akademinë e Arteve, ndërkohë që segmenti Milot-Balldren është ende në një proces kohor të paezauruar. Kjo është edhe arsyeja pse për momentin këtu flasim për segmentin Milot-Fier me një formulë të re, e cila nuk e ngarkon shtetin shqiptar me asgjë më shumë se sa një garanci minimal trafiku, praktikë kjo e mirënjohur botërisht dhe publikisht në çdo vend të botës”, tha Rama.
Ndërkohë që, sipas tij, “i gjithë financimi, një financim masiv prej 1 miliard e thuajse 200 milionë eurosh do të bëhet nga fituesi i kësaj gare dhe kuptohet do të kemi një aks të Korridorit Blu që lidh jugun e Kroacisë, Malin e Zi, Shqipërinë dhe Greqinë në unazën ku lëviz një pjesë shumë e konsiderueshme e trafikut përgjatë sezonit turistik dhe ku faktikisht ne jemi të shkëputur nga pikëpamja e ofertës që kemi për cilësinë dhe sigurinë e lëvizjes. Ashtu sikundër edhe Mali i Zi dhe një segment i mbetur ende i pakryer në Kroaci”, tha Rama.