Deputeti i Partisë Socialiste, Adnor Shameti i ka cilësuar në përputhje me Kushtetutën vendimet e Kuvendit, i cili miratoi dje me 99 vota pro marrëveshjen e 5 qershorit, teksa një javë më pas, më 30 korrik, pritet të kalojë edhe ndryshimet kushtetuese.

”Nuk ka pasur asnjë gjë anormale në gjithë këtë proces ligjvënës që ne kemi realizuar, sidomos në atë të fundit, për nismën kushtetuese të paraqitur nga disa deputetë të opozitës. Tashmë është e kompletuar. Këshilli i Legjislacionit në bashkëpunim me Komisionin e Ligjeve e kanë miratuar dhe në seancën plenare më 30 korrik, ajo do të shqyrtohet. Nuk ka pasur asnjë anormalitet, as në shqyrtimin e ligjeve të tjera dhe aq më tepër në trajtimin dhe shqyrtimin e ndryshimeve në kushtetutë, të cilat kanë qenë në përputhje me Kushtetutën dhe me rregulloren e Kuvendit”, u shpreh Shameti.

Shameti tha se i shikon si të domosdoshme dhe normale ndryshimet kushtetuese, në mënyrë që shqiptarët të kenë ligjin më të mirë zgjedhor, dhe zgjedhjet të mos kontestohen.

”Hapi i parë ishte miratimi pothuajse me konsensus i paketës së 5 qershorit, si produkt i Këshillit Politik, dhe me konsensusin e të gjitha palëve është rënë dakord për ndryshimet në kushtetutë, që janë të iniciuara nga grupet parlamentare të opozitës”, tha ai.

“E shikoj të domosdoshme, dhe krejt normale që të gjitha palët në fund të këtij procesi ligjvënës të jenë të kënaqura dhe shqiptarët të meritojnë ligjin më të mirë zgjedhor dhe të sigurojmë të gjitha kushtet për një proces zgjedhor të pakontestueshëm nga të gjitha palët”, theksoi ai.

Shameti u shpreh se, Partia Socialiste nuk i druhet asnjë sistemi zgjedhor.

”Ne si Parti Socialiste nuk i druhemi asnjë sistemi zgjedhor, nuk kemi asnjë të preferuar, pasi besimi ynë është në votën e qytetarëve shqiptarë. Prandaj nuk shikoj asnjë problematikë”, u shpreh ai.