Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj në 244 vjetorin e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka thënë se festojmë me miqtë tanë, sepse drejtësia amerikane dhe ndihma e saj në kohët më të vështira ishin vendimtare për fatin e popullit tonë.

Ai ka shkruar në Facebook se SHBA sot feston ditën e fitores. “Nën udhëheqjen e presidentit Xhorxh Uashington, pas luftës së gjatë e me shumë sakrifica, u lind shteti që sot ka armatën dhe ekonominë më të fuqishme në glob, për shkak se të tillë e ka edhe demokracinë. Për atë edhe quhet Toka e të Lirëve. Që nga viti 1999, 4 Korriku është bërë ditë feste edhe për shqiptarët. Festojmë me miqtë tanë, sepse drejtësia amerikane dhe ndihma e saj në kohët më të vështira ishin vendimtare për fatin e popullit tonë. Amerikë, urime Dita e Pavarësisë”, ka shkruar ai.