Asnjë reagim deri sot as nga familja Berisha, as nga institucionet qeveritare, për të sqaruar rrethanat e skandalit financiar i Shkëlzen Berishës me kredinë e dyshimtë 1.8 milionë euro, me të cilën pretendon nga njëra anë se ka blerë në datën 19 dhjetor 2018 disa prona pranë Gërdecit, duke i lënë ato si kolateral edhe pse me vlerë shumë të ulët se sa principali, ndërsa në dokumentet e kompanisë së tij ‘Logal’ sh.p.k thotë se në të njëjtën kohë ka blerë disa makineri dhe impiante me vlerë 1.9 milionë euro. Ndërkaq, dokumentet e reja të siguruara nga Shqiptarja.com konfirmojnë se Shkëlzen Berisha nuk ka deklaruar pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive aksionet në kompaninë ‘Logal’ sh.p.k., përmes të cilës ka blerë 3 parcela arë për një total prej 6.183 metra katrorë dhe 3 parcela te tjera truall prej 14.220 metra katrore nga të cilat 5.066.5 metra katrorë godinat, tek kompania ‘Abduramani’ sh.p.k, tek kompania ‘Mulliri i Artë’ sh.p.k si dhe tek shtetasi Agur Abduramani.

Ky dokument tregon se kompania ‘LOGAL’ është themeluar në 7 dhjetor të vitit 2015, me administrator dhe aksioner të vetëm Shkëlzen Berishën. Në deklaratën e pasurisë së vitit 2015, Shkëlzen Berisha nuk deklaron aksione në ndonjë kompani apo pjesë të kapitalit në zotërim. Ndërkaq, neni 4 i ligjit nr. 9049, datë 10.4.2003, për deklarimin e pasurive, parashikon që personi i lidhur me zyrtarin në rastin konkret, Shkëlzen Berisha, duhet të deklarojë, përpos të tjerave, edhe aksionet dhe pjesët e kapitalit në zotërim gjatë vitit të deklarimit.

Në vitin 2015, Shkëlzen Berisha deklaron vetëm të ardhura nga konsulenca 1 000 000 lekë, të ardhura nga punësimi (pa e specifikuar se çfarë pune), 759 789 lekë, të ardhura nga ndërmjetësimi ose siç njihet në zhargonin e përditshëm si sekser, 210 mijë euro, të ardhura nga qiraja 47 mijë euro si dhe shlyerjen e dy kredive për blerje apartamenti dhe makine.

Në vitin 2016, deklaron 961 966 lekë të ardhura nga punësimi (prapë pa specifikuar me kë ka punuar), 3 000 000 lekë të ardhura nga konsulenca juridike, 47 mijë euro të ardhura nga qiraja ndërsa ka mbyllur kredinë 252 mijë euro për blerje apartamenti. Për herë të parë, emri i kompanisë ‘Logal’, shfaqet në deklaratën e vitin 2016, ku Shkëlzeni thotë se i ka dhënë 250 mijë euro borxh. Shkëlzeni i ka marrë paratë në formë overdrafti në një bankë, duke ia dhënë hua kompanisë së vet. Pra, përveç kredisë së dyshimtë 1.8 milionë euro të marrë sipas tij në Intesa Sanpaolo Bank Albania, del edhe një borxh tjetër 250 mijë euro, duke e çuar totalin e borxhit mbi 2 milionë euro, pa llogaritur interesat e kredisë 1.8 milionë euro.

Këto tregues përkeqësojnë performancën financiare të kompanisë së Shkëlzenit për të marrë kredi miliona euro. Në vitin ku ka marrë kredinë 1.8 milionë euro për të blerë pronat pranë Gërdecit, në pasqyrat financiare të kompanisë ‘Logal’ rezulton se blerë pajisje dhe impiante me vlerë mbi 1.9 milionë euro. Mbetet mister burimi i 1.9 milionë erove për blerjen e pajisjeve, në kushtet kur Shkëlzeni deklaron në këtë dokument se me paratë e kredisë 1.8 milionë euro, ka blerë pronat.