Shqipëria dhe Ukraina do të hapin ambasadat përkatëse në Kiev dhe Tiranë. Aktualisht Shqipëria mbulon Ukrainën nga përfaqësia në Varshavë, kurse Ukraina Shqipërinë nga përfaqësia në Athinë. “Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Ukrainës, Vasilii Bodnar zhvilloi një takim me të ngarkuarin e ri me punë të Republikës së Shqipërisë në Ukrainë, Fation Peni, i cili dorëzoi një notë diplomatike të palës shqiptare për hapjen e përfaqësisë diplomatike të Shqipërisë në Ukrainë”, njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme të Ukrainës.
Kurse zëvendësministri ukrainas informoi palën shqiptare për zbatimin e planeve të palës ukrainase për hapjen e ambasadës së Ukrainës në Shqipëri këtë vit, që do të nënkuptonte fillimin e një faze cilësisht të re në historinë e marrëdhënieve shqiptare të Ukrainës. “Palët shkëmbyen mendime mbi përgatitjet për përfundimin e një marrëveshjeje themelore mbi miqësinë dhe bashkëpunimin midis Ukrainës dhe Shqipërisë, e cila duhet të bëhet dokumenti kryesor që përcakton kornizën e marrëdhënieve dypalëshe”, shtohet në njoftim.
Dy zyrtarët vlerësuan pozitivisht rivendosjen e fluturimeve ndërmjet Ukrainës dhe Shqipërisë që nga 26 qershori i vitit 2020, si dhe lejimin e kompanisë “Ukraine International Airlines” për të operuar me fluturime të rregullta midis kryeqyteteve të dy shteteve. Gjatë takimit, palët diskutuan gjithashtu hapa konkretë për intensifikimin e mëtejshëm të dialogut politik të nivelit të lartë.
Palët gjithashtu ranë dakord të vazhdojnë mbështetjen e ndërsjellë në platformat e OKB-së, OSBE-së, BSEC-ut dhe organizata të tjerave ndërkombëtare. Pala shqiptare siguroi pandryshueshmërinë e mbështetjes së saj të qëndrueshme për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës. Marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe Ukrainës u vendosën më 13 janar 1993.