Nga Baton Haxhiu/

Ai rrinte i ulur në atë karrige të kuqe sikur të ishte pjesë e saj. Unë dhe Foto Strakosha po shikonim lojën së bashku dhe po flisnim për lojën. Ai fliste jo si spektator, por si një njeri që kishte vendosur të mos lëvizte, sepse çdo lëvizje mund ta prishte diçka të padukshme që mbahej pezull në fushë.

Foto Strakosha, dikur vetë portë e kombëtares shqiptare, tani i kthyer në atë që është më e vështirë se çdo rol në futboll, babai i portierit.

Nuk e shikonte lojën si ne. Nuk e ndiqte si rrjedhë aksionesh. Ai e lexonte si një vijë të hollë që mund të këputej në çdo moment. E dinte çfarë do të thotë të jesh i fundit, e dinte çfarë do të thotë të jesh ai që nuk ka askënd pas, dhe e dinte, më shumë se kushdo, se portieri nuk gabon si të tjerët, ai paguan për të gjithë.

Dora që mbante shishen e ujit nuk e pinte ujin, vetëm e rrotullonte. Gishtat i dridheshin lehtë, jo nga të ftohtit, por nga një tension që nuk kishte emër. Cigaren elektronike e sillte herë pas here te buzët, jo për nevojë, por si një përpjekje për të mbajtur diçka nën kontroll. Trupi i tij ishte aty, por mendja ishte në portë.

Më fliste qetë, më shpjegonte si e sheh një portier lojën, si e lexon pozicionin, si e ndjen rrezikun para se të ndodhë, si dallon mes një gabimi teknik dhe një gabimi që turma nuk e fal. Por ndërsa fliste, duart e tradhtonin, aty ku fjala përpiqej të ishte e fortë, trupi tregonte të kundërtën.
Gruaja e tij nuk e shikon ndeshjen. Nuk e përballon. Ka zgjedhur të mos e jetojë atë që ai zgjedh ta përjetojë çdo herë, sepse kjo nuk është vetëm ndeshje, është një pritje e gjatë për një moment të vetëm që mund të ndryshojë gjithçka.

Kur Shqipëria kaloi në avantazh, ai nuk buzëqeshi. Nuk kishte gëzim në fytyrën e tij, kishte vetëm një qetësi të tendosur, si një njeri që e di se kjo është vetëm një pjesë e historisë, jo fundi i saj. Nuk i besonte rezultatit, nuk i besonte as fatit, vetëm priste.

Dhe kur erdhi barazimi, fytyra iu zbeh pa asnjë reagim të jashtëm. Sytë i ranë poshtë, drejt shkallëve, sikur aty kishte një përgjigje që të tjerët nuk e shihnin. Sepse ai nuk pa vetëm golin, pa gjithçka që do të vinte pas tij.

Dhe ajo që erdhi nuk ishte vetëm një tjetër gol, ishte një ndjesi që zbriste ngadalë mbi të, si një peshë që nuk bie menjëherë, por të shtyp gradualisht. Kur Polonia shënoi për 2 me 1, stadiumi u ngrit në këmbë, por ai mbeti i ulur. Nuk reagoi, nuk lëvizi, shishja e ujit i ra nga dora dhe mbeti aty poshtë, pa u marrë më.

Në atë moment loja për të kishte mbaruar.

E shikoja dhe më dukej sikur ai nuk ishte më në stadium, por brenda një kujtimi të vjetër, ndoshta të vetin, ndoshta të djalit të tij, një përzierje e të dyjave, ku çdo top i ardhur drejt portës nuk është vetëm një aksion, por një provë, një gjykim i heshtur që bëhet publik sapo topi kalon vijën.