Kryetari i Këshillit Drejtues të AKEP-it, Tomi Frashëri mbajti sot në Kuvend raportin e veprimtarisë vjetore të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2019.

Ai tha se Shqipëria renditet në pozicione të pëlqyeshme sa i përket tarifave të shërbimit celular. “Një përpjekje të qenësishme për investime me efekte të menjëhershme në shërbimin publik shqiptar po e bën dhe Posta Shqiptare prej gjysmës së dytë të vitit 2019. Kjo vjen si rezultat i rekomandimeve përkatëse të Kuvendit por edhe i monitorimit të AKEP si rregullator i sektorit dhe garant i zbatimit të urdhrit të ministrit të Energjisë dhe Infrastrukturës në dhjetor 2019 lidhur me kriterin e shpërndarjes territoriale të pikave të shërbimit publik postar”, u shpreh ai. Frashëri vuri theksin te arritjet e AKEP në nivel rajonal, në kuadër të Procesit të Berlinit.

“Arritje e rëndësishme ku kryqëzohen rregullimi i sektorit në ndërlidhje rajonale në procesin e Berlinit është edhe zbatimi nga AKEP i marrëveshjes së 6 ekonomive të Ballkanit Perëndimor për reduktimin e tarifave roaming në rrjetet publike të shërbimit celular, në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor nënshkruar me 4 prill 2019”, tha ai.

“Masat regullatore të vendosura nga AKEP pas vendimmarrjeve përkatëse, sikundër dhe rregullimi dhe ulja e tarifave me shumicë dhe pakicë të operatorëve që ofrojnë rrjete dhe shërbime në territorin e Shqipërisë dhe në Kosovë, jo vetëm që i kanë dhënë një realitet të rëndësishëm lidhjes mbarëkombëtare dhe rajonale por kanë kontribuar në rritjen e transparencës së tarifave dhe do të vijojnë të ndikojnë si duhet në përmirësimin e informacionit të shërbimit ndaj përdoruesve dhe shërbimeve Roaming”, u shpreh Frashëri.

“Në të gjithë veprimtarinë e tij gjatë viti 2019, AKEP i ka kushtuar vëmendje ankesave të qytetarëve dhe monitorimit të cilësisë së shërbimeve të ofruar ndaj konsumaratorit. Raporti vjetor jep një panoramë të hollësishme në këto dy aspekte dhe në fakt jo pak të ndërlidhura me njëri-tjetrin. Mirëmenaxhimi i spektrit të frekuencave, shmangia e interferencave, kontrolli i cilësisë së shërbimit, regjistrimi i parametrave të rrezatimeve elektromanjetike, lufta kundër informalitetit dhe piraterisë kanë impakt të menjëhershëm në përditshmërinë e qytetarëve dhe bizneseve por janë pasqyrë e mirëfunksionimit të institucionit dhe besueshmërisë së shtetit shqiptar. Për këto arsye këto çështje kanë qenë në vëmendjen e AKEP dhe do vijojnë të jenë edhe për vitin 2020”, tha ai.

Në lidhje me objektivat e vitit 2020, Frashëri tha se “AKEP do t’i përmbahet planeve strategjike për një hop cilësor me vitin pararendës, edhe në kuadër të çeljes së negociatave me BE-në, sidomos në kuadrin e kapitullit 10 të shoqërisë së informacionit”.