Kryeministri Edi Rama siguroi sot se “një numër i konsiderueshëm i shkollave të dëmtuara nga tërmeti hapin dyert në 26 nëntor me standarde e kushte të reja që u kanë munguar në vite”.

Rama tha se “të gjitha shkollat e rrënuara në zonën jashtë Tiranës kanë filluar të rindërtohen”.

“Së shpejti fillon rindërtimi edhe brenda bashkisë së Tiranës dhe një numër i konsiderueshëm i shkollave hapin dyert në 26 nëntor me komplet standarde e kushte të reja që u kanë munguar në vite dhe do t’u mungonin edhe më shumë vite të tjera në rast se tërmeti nuk do të na kishte kujtuar dhe kapur për krahësh, për të na vendosur përpara sfidën e fëmijëve të Buqbit, Ishmit apo përreth, Durrësit e qendrave të tjera urbane”, shtoi ai.

“E di që durimi është një mall shumë i vështirë për ta gjetur në atdheun tonë. I mirëkuptoj të gjithë njerëzit që duan më shumë, e më shumë dhe i duan tani. 30 vjet janë shumë, por nuk ka asnjë rrugë tjetër veçse të punojmë pa papushim. Ne nuk po rrimë asnjë ditë e po të mundnim më shumë, nuk do linim gjë pa bërë, por duhet durim dhe me siguri, më shpejt se sa vonë, të gjitha këto që sot janë pamje mbresëlënëse në 3D kthehen në realitet”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se “e vërteta është që të gjitha 3D, që ne ekspozojmë janë pjesë e projekteve sepse një shtëpi, një rrugë, urë, shkollë, spital çfarëdo qoftë që ndërtojmë nuk fillon në momentin kur hapen themelet”.

“Ajo fillon në momentin kur e ëndërrojmë me sy hapur, pastaj ulemi dhe e konceptojmë, pastaj fillojmë të sigurojmë financimin, bëjmë zbatimin e projektit, projekti shkon në garë, pastaj nënshkruajmë një kontratë dhe pastaj shkojmë në territor ku fillojmë ta ndërtojmë realisht”, tha ai.

“Nëse ka një gjë themelore që na dallon nga ata para nesh, është se ne i japim kohën e duhur konceptimin dhe projektimi dhe nuk futemi në kantier sikur jemi një hordhi ndërtuesish pa leje që nisen e pushtojnë tokat e të tjerëve për të filluar ndërtimin e shtëpive të tyre. I falet kjo njerëzve e familjeve në vitet ’90 për një strehë, por nuk i falet një shteti apo një kryeministri. Me projektet e tyre jo që do të ngelin në klasë çdo njeri që i ka hedhur ato viza, por do të kishin mbushur burgjet në vende e tjera për krime kundër mjedisit, shtetit, kundër njerëzimit për nga shëmtia dhe dëmi që sjellin në territor. Ndaj të mos humbasim asnjë minutë në proces dhe sa më shpejt t’u japim jetë këtyre kantiereve të mëdha se ne jemi atdheu i Shën Thomait, po nuk prekëm nuk besojmë. I mirëkuptoj të gjithë ata që pa i prekur nga afër vazhdojnë besojnë se këto janë mashtrime dhe argëtime”, tha Rama.