Muajt e fundit pandemia i ka ndërlikuar në mënyrë të pashembullt fushatat presidenciale.

Zyrtarëve të të dyja fushatave, si asaj të Donald Trump-it ashtu edhe Joe Biden-it, u është dashur të ndryshojnë strategjitë e të mbështeten tek teknologjia për të mbledhur para apo për t’u lidhur me votuesit e mundshëm të kandidatëve që përfaqësojnë.

Korrespondetja e “Zërit të Amerikës” Elizabeth Lee na sjell më shumë detaje rreth strategjisë dixhitale të përdorur nga organizatorët e fushatave dhe se çfarë lloj informacionesh synojnë të mbledhin me qëllimin për të fituar garën për në Shtëpinë e Bardhë.

Prej momentit kur pandemia e koronavirusit çorganizoi jetën e të gjithëve në mbarë botën, interneti u bë një rrugë shpëtimi për punë, argëtim e fushata politike.

“Kjo është një situatë tërësisht e pashembullt, ku është e pamundur të dërgohen organizatorë fushatash apo vullnetarë nëpër dyer, ndaj fushatat duhet të bëhen më krijuese”, thotë Tara McGowan, themeluese e ACRONYM, një shoqatë jo-fitimprurëse progresive.

Joe Biden ka përdorur Instagram-in për biseda të drejtpërdrejta me persona me ndikim në median sociale dhe njerëz të famshëm.

Zyrtarët e fushatës së zotit Trump nisën transmetimin e përditshëm në stilin e bisedave në internet me një drejtues emisioni, e të ftuar të shquar, përfshirë anëtarët e familjes Trump.

Në median sociale reklamat janë një tjetër mënyrë për të arritur tek sa më shumë votues që të jetë e mundur.

Reklamat u kërkojnë përdoruesve adresat e tyre elektronike, të cilat kanë vlerën e një “thesari” për një fushatë dixhitale.

“Kjo bën që ata të kenë informacion mbi profilin tënd, kush je ti dhe potencialisht t’i kombinojnë me të dhëna të tjera që mund të kenë rreth asaj adrese emaili”, thotë Jennifer Stromer-Galley e universitetit “Syracuse”.

Me informacionin që kanë rreth një mbështetësi të mundshëm siç është mosha dhe gjinia, zyrtarët e fushatave krijojnë reklama në Facebook që synojnë një demografi specifike përdoruesish.

“Publikojmë vazhdimisht shumë reklama në Facebook. Ekipi ynë dixhital e krahason me shkëmbimin në vëllime të larta që ndodh në bursë. Bëjmë shumë prej tyre dhe ato që kanë popullaritet, i postojmë më shumë duke hedhur më shumë para për publikimin e tyre. Ato që nuk marrin vëmëndje i heqim nga platforma”, thotë Erin Perrine, Drejtoreshë e Komunikimeve me Shtypin për fushatën Trump.

Një grup që mbështet zotin Biden publikon reklama në platforma joadradicionale.

“Ne synojmë të arrijmë tek votuesit në aplikacione si Hulu dhe Roku apo pajisje që përdoren për lojëra elektronike sikur Xbox’’, thotë Tara McGowan, themeluese e ACRONYM, organizatë jo-fitimprurëse Progresive.

Organizatorët e fushatave të të dy krahëve kanë gjithashtu aplikacionet e tyre.

Për të angazhuar mbështetës aplikacioni i zotit Trump përshin edhe lojëra ku përdoruesit mund të fitojnë pikë.

Në vitin 2020 kur shumë njerëz konsumojnë politikë si një formë argëtimi, zyrtarët e fushatave po përpiqen të gjejnë ata që mund të jenë votuesit e mundshmën të kandidatëve të tyre në botën dixhitale.