“Too Much and Never Enough: How My Family Created the World’s Most Dangerous Man” (Shumë dhe asnjëherë mjaftueshëm: Si familja ime krijoi njeriun më të rrezikshëm në botë) është një libër i shkruar nga Mary L. Trump, mbesa e Donald Trump. Libri u botua më 14 korrik nga Simon & Schuster pas një beteje ligjore në Nju Jork, ku në fund gjykata vendosi që të lejonte botimin e librit.
Dr. Mary L. Trump, psikologe klinike, është vajza e Fred Trump Jr., vëllai i ndjerë i Donald Trump. Sipas botuesit, ajo ka dhënë mësim për studentë të diplomuar për subjektet e traumës, psikopatologjisë dhe psikologjisë së zhvillimit. Mary L. Trump ka shkruar një temë diplome mbi viktimat e përndjekjes dhe ka kryer hulumtime mbi skizofreninë.
Pas fushatës presidenciale të xhaxhait të saj, Mary ra në kontakt me The New York Times ku dorëzoi dokumentet e taksave të familjes Trump, si një burim anonim. Dokumentet u përdorën për një artikull të vitit 2018 që detajonte mashtrimet financiare të Trump, artikull që fitoi çmimin Pulitzer për Raportimin Shpjegues më të Mirë nga David Barstow, Susanne Craig dhe Russ Buettner.
Në librin 240 faqesh, Mary shpjegon si “familja e saj toksike” krijoi “njeriun më të rrezikshëm në planet”. “Askush nuk e di se si u bë Donald Trump më i mirë se familja e tij. Fatkeqësisht shumica heshtin nga besnikëria ose frika. Unë s’jam një nga ata,” shkruan ajo. Sekretari për shtyp i Shtëpisë së Bardhë thotë se libri “është i mbushur me gënjeshtra”. Por çfarë trajtohet në të? Një përmbledhje të librit e ka realizuar Kaelyn Forde, reportere që bashkëpunon me ABC News, Al Jazeera, InStyle, Glamour, Allure dhe Refinery29.
Donald Trump mbante një listë të grave me të cilat donte të dilte, por s’kishin pranuar
Mary, sot 55 vjeç, shkruan se në fund të të njëzetave të saj, Donald Trump e thirri në avionin e tij privat dhe i kërkoi që të shkruante librin “Trump: The Art of the Comeback” libër që u prezantua më vonë me autorë Trump dhe Kate Bohner. Mary pranoi dhe iu dha një zyrë para Trump Organization. Por Trump nuk pranoi kërkesat e mbesës për ta intervistuar, ndërkohë që fliste vetëm për golf, thashetheme dhe gra. Ajo tregon se gjeti një transkriptim prej 10 faqësh të një regjistrimi të Trump, ku fliste për shumë gjëra, vetëm jo për biznesin. “Ishte një përmbledhje për gratë me të cilat dëshironte të dilte, por pasi nuk kishin pranuar, papritur ai kishte shpërthyer në të shara, të cilat ishin sharjet më të këqija dhe më të shëmtuara që kam dëgjuar ndonjëherë,” thotë ajo. Që prej atij momenti, Mary ndaloi së kërkuari një intervistë me xhaxhain.
Fëmijët e familjes Trump u braktisën nga nëna dhe babai i la pas dore
Mary shkruan se pas lindjes së Robertit, djalit të vogël të familjes, nëna e Donald Trump, pësoi komplikime shëndetësore që rezultuan në histerektomi (heqja kirurgjikale e mitrës ) dhe ooforektomi (heqja kirurgjikale e vezores ose vezoreve). Mary shkruan se mungesa e saj – qoftë fizike dhe emocionale – krijoi një boshllëk në jetën e fëmijëve.
Fred Trump Sr., babai i Donald Trump, ishte një “high-functioning sociopath”, term që përdoret për njerëzit që shfaqin sjellje normale në përditshmëri, kanë një punë ose një martesë tipike, por fshehin sjellje që kanë tendencë manipuluese dhe shfrytëzuese. Mary thotë se babai i Donald Trump e shihte marrëdhënien me fëmijët si dobësi. Në vijim, shton ajo, Donald Trump e zëvendësoi mungesën e prindërve me ndjenja si “ngacmimi, mosrespektimi dhe agresiviteti”. Familja Trump ishte një familje mizogjene, anti-LGBTQ dhe kishte mendime paragjykimi dhe diskriminimi për hebrenjtë
Mary thotë se babai i Donald Trump i largoi vajzat e tij (Maryanne dhe Elizabeth) plotësisht dhe i përqëndroi ambiciet te djemtë. Mary, e cila është lesbike, thekson se e fshehu homoseksualitetin nga familja për shkak të pikëpamjeve të tyre homofobe. Familja gjithashtu përdorte shprehje që stereotipizonin hebrenjtë.
Motra e Donald Trump e konsideronte atë si një “klloun” që s’do t’i fitonte kurrë zgjedhjet Kur Donald njoftoi se do të kandidonte për president në 2015, shkruan Mary, familja mendoi se “ai thjesht dëshironte publicitet falas për markën e tij”. “Ai është një klloun,” tha halla ime Marianne gjatë një prej drekave tona asokohe. “Kjo nuk do të ndodhë kurrë.”
Mary shkruan se pozicioni i hallës së saj si gjyqtare federale e pengoi që të fliste publikisht kundër tij, por që para takimit të Donald Trump në 2018-n me diktatorin e Koresë së Veriut, Kim Jong-un, Maryanne telefonoi Shtëpinë e Bardhë dhe i tha: “Thuajini se motra e tij e madhe e telefonoi për një këshillë. Përgatitu. Mëso nga ata që dinë se çfarë bëjnë. Dhe lëre Twitter-in në shtëpi.”
Donald Trump i nguli sytë mbesës në mënyrë të çuditshme dhe flirtuese
Mary shkruan se udhëtoi në rezidencën e tij në Palm Beach, Florida, gjatë kohës kur punonte për librin. Ajo drekoi me xhaxhain dhe gruan e tij të dytë, Marla Maples. Meqenëse ishte një mjedis joformal, Mary mbante veshur rroba banjo dhe pantallona të shkurtra për drekën në oborr. “Donald mbante veshur kostum golfi dhe më pa sikur të mos më kishte parë kurrë më parë. Kur u afrova Marla, tha: ‘Oh Zot Mary, ke trup të hatashëm. Donald!’ Isha skuqur, u hutova.”