Pas skandalit me ndeshjen Bylis-Tirana të vlefshme për Kupën e Shqipërisë, që dyshohet se u trukua, kompanitë e basteve ndërkombëtare pezulluan bastet për futbollin shqiptar. Për të hedhur më shumë dritë mbi atë që po ndodh me kampionatin shqiptar me fenomenin e trukimeve, në studion e Report Tv ishte i ftuar gazetari sportiv Altin Kodra dhe me skype nga Durrësi, ish-kryetari i shoqatës së basteve sportive, aktualisht drejtori i ekipit të Teutës, Artan Shyti. Për gazetarin sportiv më shumë se trukim fenomenin që ndodh në Shqipëri e cilëson si tolerim mes klubeve për interesa të ndryshme. “Fjala trukim është paksa e ndërlikuar. Në mendimin tim në Shqipëri ndodhin tolerime kur bëhet fjalë për kampionatin dhe Kupën, më lër kupën, të lë kampionatin” tha ai.

Por a është normale ajo që ndodhi në ndeshjen Bylis-Tirana? “Ndeshje normale nuk ishte, por pak ditë më parë pashë një tjetër ndeshje të tillë anormale dhe nëse do i hyjmë këtij diskutimi, që në Shqipëri nuk mund të themi se ka më shumë trukime se tolerime, borxhe që presidentët i kanë njëri tjetrit dhe i shlyejnë duke i lënë njëri tjetrit, llogaritë për të shmangur rënien nga kategoria. Akrobacitë dhe këto tolerime njihen në sportin shqiptar, por është dicka e mirë që FSHF ka lëvizur, që futbolli shqiptar të mos njolloset, ti hiqet kjo damka” tha Kodra.

Për Artan Shtyin, sfida e luajtur në Ballsh ishte përtej normalitetit. “Tirana ra pre e nivelit të saj dhe njerëzit nuk panë Tiranën normale agresive. Edhe në ndeshjen me Teutën, Tiranën e vuri në vështirësi dhe fitoi dhe pas ndeshjes dëgjova njerëz që thonin ‘hë u morët vesh’? Gjë që nuk ishte e vërtetë. Tirana i kishte mësuar njerëzit që të fitonte gjithmonë, u krijua ideja se kushedi se cfarë ka ndodhur. Reagimi ka qenë i madh, që do të thotë që njerëzit do ta kishin kuptuar më me sportivitet nëse diferencat do të ishin më të vogla dhe Tirana do të ishte më agresive. Ishte diçka përtej normalitetit, por që këtu dhe deri kur të themi se ishte trukuar është një hap i madh që duhet verifikuar nga institucionet”.