Shkelzen Berisha

Asnjë reagim deri sot as nga familja Berisha, as nga institucionet qeveritare, për të sqaruar rrethanat e ska ndalit financiar i Shkëlzen Berishës me kredinë e dyshimtë 1.8 milionë euro, me të cilën pretendon nga njëra anë se ka blerë në datën 19 dhjetor 2018 disa prona pranë Gërdecit, duke i lënë ato si kolateral edhe pse me vlerë shumë të ulët se sa principali, ndërsa në dokumentet e kompanisë së tij ‘Logal’ sh.p.k thotë se në të njëjtën kohë ka blerë disa makineri dhe impiante me vlerë 1.9 milionë euro. Nga dokumentet e reja të siguruara nga Shqiptarja.com rezulton se Shkëlzen Berisha nuk ka deklaruar në deklaratën e pasurisë për vitin 2018 as kredinë e pretenduar 1.8 milionë euro, as pronat në zonën kadastrale 2605 të fshatit Marqinet të Vorës, ngjitur me zonën e Gërdecit të vendosura në bankë si kolateral për kredinë, si dhe as shpenzimin e 1.9 milionë eurove për blerje impiantesh dhe makinerish, siç edhe figuron në pasqyrat financiare të kompanisë së tij. Kjo kontratë blerje e datës 19 dhjetor 2018, konfirmon se Shkëlzen Berisha, përmes kompanisë së tij ‘Logal’ sh.p.k, ka blerë 3 parcela arë për një total prej 6.183 metra katrorë dhe 3 parcela te tjera truall prej 14.220 metra katrore nga të cilat 5.066.5 metra katrorë godinat, tek kompania ‘Abduramani’ sh.p.k, tek kompania ‘Mulliri i Artë’ sh.p.k si dhe tek shtetasi Agur Abduramani. Me një vendim të firmosur me datë 24 dhjetor, Shkëlzen Berisha, përmes kompanisë së tij ”Logal” ku është aksioner i vetëm, merr pranë bankës Intesa Sanpaolo Bank Albania kredi 1.8 milionë euro për të blerë pronat.

Të gjithë këto lëvizje financiare (blerje dhe kredi banakare) kanë ndodhur në vitin 2018. Ndërkaq, në deklaratën e pasurisë së vitit 2018, që Sali Berisha ka dorëzuar pran Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, në të cilët pasqyrohet edhe pasuria e Shkëlzenit, nuk deklarohet as kredia, as pronat dhe as shpenzimet me vlerë 1.9 milionë euro. Siç konfirmon kjo deklaratë, Shkëlzen Berisha nuk ka deklaruar pranë ILDKP blerjen e pronave dhe transaksionet miliona euro as gjatë vitit 2019. Neni 4 i ligjit nr. 9049, datë 10.4.2003, për deklarimin e pasurive, parashikon që personi i lidhur me zyrtarin në rastin konkret, Shkëlzen Berisha, duhet të deklarojë çdo ndryshim në pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme, si dhe të drejtat reale mbi to, sendet me vlerë mbi 300 000 mijë lekë, vlerën e aksioneve pjesët e kapitalit në zotërim, detyrimet financiare ndaj personave juridikë dhe fizikë, angazhimet në veprimtari private me qëllim fitimi, çdo shpenzim i deklarueshëm me vlerë mbi 300 000 mijë lekë, i kryer gjatë vitit të deklarimit. Fakti që blerjet dhe kreditë janë marrë nga firma ”Logal” në pronësi të tij, nuk liron Shkëlzen Berishën nga detyrimi ligjor për të deklaruar gjithë lëvizjen financiare të realizuar në emër të firmës.

Në fakt, në deklaratën e pasurisë së vitit 2016, Shkëlzen Berisha deklaron një borxh prej 250 mijë eurosh që ka marrë në formë overdrafti në një bankë, si kapital për kompaninë e tij, ‘Logal’. Shkëlzeni deklaron se këto para ia ka dhënë borxh kompanisë së tij, pra vetes. Në kushtet kur ka deklaruar borxhin 250 mijë euro në 2016 pse nuk deklaroi edhe borxhin 1.8 milionë euro në 2018?! Pse po përpiqet Shkëlzen Berisha të fshehë kredinë dhe pronat pranë Gërdecit? Gjithashtu, kompania ‘LOGAL’, sipas këtij dokumenti, rezulton se është themeluar në dhjetor të vitit 2015. Në deklaratën e pasurisë së vitit 2015, Shkëlzen Berisha nuk deklaron se ka themeluar ndonjë kompani, ashtu siç e detyron ligji. Në vitin 2015, Shkëlzen Berisha deklaron të ardhura nga konsulenca 1 000 000 lekë, të ardhura nga punësimi (pa e specifikuar se çfarë pune), 759 789 lekë, të ardhura nga ndërmjetësimi ose siç njihet në zhargonin e përditshëm si sekser, 210 mijë euro, të ardhura nga qiraja 47 mijë euro si dhe shlyerjen e dy kredive për blerje apartamenti dhe makine. Në vitin 2016, deklaron 961 966 lekë të ardhura nga punësimi (prapë pa specifikuar me kë ka punuar), 3 000 000 lekë të ardhura nga konsulenca juridike, 47 mijë euro të ardhura nga qiraja ndërsa ka mbyllur kredinë 252 mijë euro për blerje apartamenti. Për herë të parë, emri i kompanisë ‘Logal’, shfaqet në deklaratën e vitin 2016, ku Shkëzleni thotë se i ka dhënë 250 mijë euro borxh.

Në vitin 2017, Shkëlzen Berisha specifikon pagë 959.784 lekë nga kompania “ALBANIAN LEGAL COMPANY”, me nipt: L32105027B. Nga verifikimet, rezulton se edhe kjo kompani ka si administrator dhe ortak të vetëm Shkëlzen Berishën. Kompania është themeluar në 5 shtator 2013 dhe ka si objekt ‘konsulentë dhe shërbime juridike’. Nga verifikimi i deklaratës së pasurisë së vitit 2013, Shkëlzen Berisha e deklaron të ardhura nga konsulenca ligjore si person fizik dhe kompania “ALBANIAN LEGAL COMPANY” me vlerë rreth 40 mijë USD. Referuar deklaratave të pasurive ndër vite, kontratave të firmosura prej tij dhe pasqyrave financiare të kompanive, Shkëlzen Berisha herë i deklaron dhe herë jo ndryshimet në pasuritë dhe transaksionet e kamufluara me kompanitë e tij. Ndërkaq, neni 257/a i Kodit Penal parashikon që “fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publik ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet”.