Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, ka sjellë në vëmendje rastin e Adhurimit i cili ka përfituar nga subvencionim në blegtori nga Skema Kombëtare.
“Si Adhurimi janë mijëra fermerë të tjerë që do të përfitojnë subvencionin pas aplikimit në e-Albania për fondet e Skemës Kombëtare. Me shtesën në buxhet prej 400 milionë lekësh do të mbulojmë gati 95% të rreth 8 mijë aplikantëve që përmbushin kriteret”, bën të ditur Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Adhurim Beqiri nga fshati Tragjasë i rrethit të Vlorës shprehet se, “aplikova në Skemën Kombëtare, përmes telefonit me 0 dokumente. Dola përfitues dhe do të marr 8 milionë e 600 mijë lekë. Nga këto 5 milionë lekë do ti marr nga gjedhi dhe 3 milionë e 600 mijë lekë nga të imtat”.
“Blegtoria është një nga sektorët i rëndësishëm, që duhet të mbështet edhe në vitet në vijim”, shprehet Beqiri.
Ai tregon se edhe me tregun e qumështit nuk ka pasur probleme. “Baxho që kemi këtu në fshat na grumbullon të gjithë prodhimin e qumështit nga fermat tona, me 110 lekë /litri. Ndërsa mishi i të imëtave është mjaft i kërkuar nga turistët e vizitorët e ndryshëm që vijnë në zonën e bregdetit të Vlorës” – tha Beqiri.
Ai shpreh falenderim të veçantë për ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi i cili siç tha Beqiri, “tashmë i ka siguruar fermerëve edhe vaksinim falas për blegtorinë që mbarështojnë në fermat e tyre”.