Skema Kombëtare e Mbështetjes për Bujqësinë 2020 e financuar nga qeveria shqiptare, adreson për të tretin vit me radhë, mbështetje të drejtpërdrejtë për projektet në agroturizëm. Agjencia për Zhvillimin Bujqësor Rural, bën të ditur se, me buxhetin shtesë të qeverisë prej 400 milionë lekë adresuar Skemës Kombëtare, këtë vit përfshin në financim 3 sipërmarrës që kanë aplikuar për të investuar në agroturizëm.
Skema kombëtare në masën 7-të, “Investime në agroturizëm”, parashikon mbështetje për ngritjen apo rikontruksionin e ambienteve për veprimtari të turizmit rural (bujtina) me kapacitet nga 4 deri 10 dhoma në 50% të investimit me masë financimi deri në një milion e pesëqind mijë lekë. AZHBR njofton se aplikantët e kualifikuar përfitues të Skemës Kombëtare kanë afat deri më 30 korrik për të dorëzuar dokumentet shtesë.
Aktualisht përveç skemës Kombëtare të Mbështetjes, tashmë është edhe programi IPARD II, që adreson një mbështetje financiare të posaçme për turizmin rural dhe interesi i fermerëve për të aplikuar në këtë sektor është i madh. Pikat agroturistike, janë sinergji për rritjen e të punësuarve, të të ardhurave. Janë qendra ku fermerët e zonës çojnë prodhimet e tyre tradicionale të zonës që konsumohen në këtë agroturizëm në mënyrë të përpunuar duke zhvilluar një pjesë të zinxhirit të zhvillimit në ciklin rural dhe turistik të vendit.