Të ardhurat e realizuara në buxhetin e shtetit nga tatimi mbi fitimin, gjatë muajit periudhës janar-qershor të vitit 2020 rezultuan rreth 13.7 miliardë lekë. Sipas treguesve fiskalë të buxhetit, publikuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, të ardhurat e mbledhura në 6-mujorin e parë të këtij viti rezultojnë mbi 6 miliardë lekë më të ulëta krahasuar me të ardhurat e mbledhura për të njëjtën periudhë të vitit 2019. Gjatë 6-mujorit të vitit të shkuar u mblodhën në buxhet nga tatimfitimi 20.4 miliardë lekë.
Qeveria shqiptare miratoi së fundmi ndryshime në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, sipas të cilit zerohet tatimfitimi për biznesin me xhiro vjetore deri në 14 milionë lekë. Nga kjo lehtësi do të përfitojnë 12 257 subjekte ndërsa efekti në buxhet llogaritet rreth 680 milionë lekë. “Këto të ardhura që do t’i mungojnë buxhetit do të ndihmojnë biznesin për t’u rimëkëmbur në këtë periudhë“, deklaroi zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Vasilika Vjero gjatë prezantimit të ndryshimeve të ligjit në Komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave.