Ambasadorja Yuri Kim e ka quajtur turizmin në Shqipëri një thesar jo vetëm për Shqipërinë por për të gjithë botën. Në një konferencë të përbashkët me ministrin e Turizmit Blendi Klosi, Kim tha se SHBA ka dhënë ndihma 1.8 mln dollarë për të ndihmuar në zhvillimin e turizmit. Gjithashtu ajo bëri apel që mbrojtja e mjedisit të Shqipërisë fillon me pastrimin e tij, pasi mbledhja e mbeturinave individuale është përgjegjshmëri, por mbledhja e mbeturinave të tjetrit është zgjuarsi dhe zgjidhje e problemit.
“Kam qenë në Shqipëri prej 6 muajsh dhe kam vizituar shumë zona të bukura. Është një thesar jo vetëm për Shqipërinë por për të gjithë botën. Mbrojtja e mjedisit fillon me pastrimin e tij. Në momentin që unë mbledh mbeturinat që unë krijoj është përgjegjshmëri nga ana ime, nëse marr plehrat që lënë të tjerët sepse e shikoj si problem, kjo tregon inteligjencë. Mund të jeni në dijeni që SHBA kanë dhënë ndihma 1.8 mln dollarë që kanë ndihmuar në zhvillimin e turizmit. Do të jem krenare të siguroj që SHBA qëndrojnë krah jush. SHBA-të qëndrojnë krah jush. Të përveshim mëngët së bashku me ju, personat të mençur që ta pastrojnë Shqipërinë dhe u japin zgjidhje problemeve”, tha Yuri Kim.