Tirana do të marrë sot zyrtarisht titullin kampion, për të 25-ën herë. Bardheblutë triumfojnë pas 11 vitesh dhe fatkeqësisht nuk do të mund të festojnë me tifozët e tyre, për shkak të pandemisë së koronavirusit. Klubi bardheblu ka njoftuar se nuk do të ketë asnjë organizim për titullin, për momentin. Mbrëmjen e sotme në orën 19:00 do të jetë përballja e fundit e kampionatit KF Tirana- KF Bylis. Ndeshja do të luhet në “Air Albania” pa praninë e tifozëve, sipas protokolleve përkatëse dhe rregullave të vendosura nga Ministria e Shëndetësisë.
Policia e Tiranës, masa të shtuara për mbarëvajtjen e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes së futbollit, duke synuar jo vetëm mbarëvajtjen e aktivitetit sportiv, por dhe moslejimin e grumbullimit të tifozëve, si masë parandaluese për përhapjen e infeksionit COVID-19. Në kuadër të këtyre masave të parashikuara informojmë qytetarët e Tiranës se: • Do të lejohen të futen në stadium vetëm ata persona të caktuar nga ekipi dhe FSHF, sipas protokollit sanitar “Për organizmin e ndeshjeve të futbollit”. • Nuk do lejohen grumbullime të tifozëve në sheshe apo në ambientet përreth. Në rast grumbullimi Policia do të ndërhyjë për shpërndarjen e tyre.
Gjithashtu do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore, në të cilat nuk do lejohen të lëvizin as mjetet dhe as këmbësorët. Segmentet rrugore që do të jenë të bllokuara, nga ora 16:00 deri në përfundim të aktivitetit, janë: – Rruga përreth stadiumit “Lek Dukagjini”, rruga “Dervish Hima”, rruga “Gjergj Filipi”, rruga “Papa Gjon Pali II”, nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri tek stadiumi “Air Albania” dhe bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga presidenca, sheshi “Nënë Tereza” deri te sheshi “Shopen”, si dhe sheshi para Universitetit Politeknik. Policia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për të evituar lëvizjen me automjete në segmentet rrugore të lartpërmendura në oraret e caktuara. Policia e Tiranës apelon edhe njëherë për respektim me rigorozitet të protokolleve të sigurisë, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.