Të mërkurën në ‘Air Albania’ Tirana e shpallur matematikisht kampione do të luajë ndeshjen e javës së fundit në Superligë kundër Bylisit, një takim që në kushte të zakonshme do ta mbushte stadiumin plot, pasi ‘bardheblutë’ do të ngrenë lart titullin e fituar pas 11 vitesh. Por siç dihet kjo është e pamundur për shkak të koronavirusit dhe për këtë klubi i Tiranës ka bërë një sqarim në faqen zyrtare ku thotë se ‘për shkak të rrethanave festa do të shtyhet në një moment tjetër’.

Reagimi i klubit të Tiranës:  Të mërkurën datë 29/07/2020 përballja e fundit e kampionatit KF Tirana- KF Bylis. Tirana zbret ne fushë si kampione e vendit për sezonin 2019-2020 në ditëlindjen e saj të 100-të. Duke marrë shkak nga situata e pazakontë e pandemisë COVID-19, të gjitha organizimet e menduara për festën e përbashkët të këtij viti jubile do të zhvendosen në një moment te dytë me shpresën se kjo situatë do të përfundojë. Klubi i Futbollit Tirana njofton se ndeshja do të zhvillohet në “Air Albania” në orën 19:00 pa praninë e tifozëve sipas protokolleve përkatëse dhe rregullave të vendosura nga Ministria e Shëndetësisë.

Ndërkohë për këtë çështje ka reaguar edhe FSHF, e cila thotë se për arsyen se klubi kampion meriton të festojë në mënyrë dinjitoze festa do të jetë e veçantë. Konkretisht FSHF shkruan:

“Federata Shqiptare e Futbollit është duke përgatitur ceremonitë përmbyllëse të sezonit 2019/20. Një sezon i paprecedentë e që u ndërpre në fillim të muajit mars për shkak të shpalljes së pandemisë Covid-19, për të rifilluar pas shumë vështirësive më 3 qershor.

Federata ia doli mbanë që të garantonte zhvillimin e rregullt të ndeshjeve si edhe sigurinë shëndetësore të të gjithë pjesëmarrësve. Në përfundim të ndeshjes KF Tirana-KF Bylis, që luhet të mërkurën (29 korrik, ora 19:00) në stadiumin “Air Albania”, do të zhvillohet edhe ceremonia e dorëzimit të titullit kampion, që këtë edicion u fitua nga klubi i Tiranës.

Ndërsa, më 2 gusht do të luhet finalja e Kupës së Shqipërisë, KF Teuta-KF Tirana. Edhe kjo sfidë do të luhet në stadiumin “Air Albania” duke filluar nga ora 20:00. Duke qenë në kushtet e pandemisë, siç dihet ndeshjet do të zhvillohen pa praninë e tifozëve dhe ceremonitë e trofeve do të jenë disi të veçanta këtë herë.

Federata e Futbollit është kujdesur dhe ka marrë masa që fituesve të trofeve t’u rezervohet ceremoni sa më dinjitoze dhe të respektohen siç u takon, por njëkohësisht është fokusuar edhe te zbatimi i protokollit shëndetësor të miratuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale me qëllim parandalimin e përhapjes së virusit.”