Tre vëllezër shkodranë, të cilët prej vitesh jetonin në Itali, janë kthyer së fundmi në Shqipëri, për të investuar dhe ngritur biznesin e tyre, të pagëzuar me emrin “Drulam”.
Ministri i Shtetit për Sipërmarrjen, Eduart Shalsi, vizitoi dhe u njoh nga afër me aktivitetin e këtij biznesi që operon në fushën e përpunimit të drurit dhe sot prodhon deri dhe shtëpi cilësore prej druri. “Pas një periudhe të gjatë emigrimi në Itali dhe tashmë “të armatosur” me dijen dhe praktikën e përpunimit të drurit, tre vëllezër shkodranë ngritën një biznes ku përpos të tjerave prodhonin edhe shtëpi druri me cilësi, por dhe me kosto të leverdishme”, – shprehet Shalsi. Ai tha se gjatë kësaj vizite, u njoh me avantazhet e shtëpive prej druri, aspektet ekologjike, ruajtjen e ambientit, si dhe përballimin e lagështirës.
“U njoha edhe me larmishmërinë e produkteve të drurit, që i kishin gdhendur aq mjeshtërisht. Diskutuam mbi situatën e vështirë që pandemia ka shkaktuar, por edhe për problematikat që hasnin në lidhje me promovimin e produkteve të tyre, ndërkohë që më kërkuan të shqyrtonim me kujdes edhe mundësinë e lehtësimit të marrjes së lejeve për ndërtimin e shtëpive të drurit, duke u mbështetur në praktikat më të mira në botë”, – shprehet ministri. Pavarësisht situatës, këta djem të palodhur e kurajozë janë një shpresë se së bashku do t’ia dalim, thotë Shalsi.