Kryebashkiaku Veliaj i dha sot “Çelësin e Qytetit” kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti. “Dua t’i uroj mirëseardhjen kryeministrit Hoti dhe delegacionit nga Kosova. Është një kënaqësi e veçantë kur shoh se Kosova ecën përpara, që zhvillohet. Në këto kohë sfiduese për Kosovën, e di që ka një barrë të vështirë për të mbajtur dhe barra më e vështirë është për ta mbajtur popullin të bashkuar, për të mbajtur frymën pozitive, kokën lart dhe sytë përpara. Ndaj, dua që ky çelës të jetë simboli i një dere të hapur i Tiranës”, tha Veliaj.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, falenderoi kryebashkiakun Veliaj. “Jam vërtet i nderuar në 100 vjetorin e Tiranës edhe si dikush që ka punuar në pushtetin lokal ju kam zili për pasionin që keni për punën. Ju uroj çdo të mirë edhe sukses”, tha Hoti, sipas njoftimit të zyrës së shtypit të bashkisë së Tiranës.
Veliaj dhe Hoti biseduan edhe për krijimin e lehtësirave për studentët në të dyja anët e kufirit. “Teksa futemi në 100-vjetorin e dytë të Tiranës kryeqytet, besoj se ajo do të jetë edhe më e hapur për biznes, për të rinjtë dhe ata që e shohin si shtëpinë e tyre të dytë. Jam i lumtur që folëm me kryeministrin për mundësitë e të rinjve dhe do të doja shumë që Karta e Studentëve të Shqipërisë të vlejë në Kosovë. Ne jemi shumë të gatshëm që kartat e studentëve kosovarë të vlejnë në Tiranë dhe të përfitojnë nga këto lehtësira”, nënvizoi Veliaj.