Xavi Hernández është markë e regjistruar. Ai ishte lojtar unik dhe aspiron të jetë i tillë edhe si trajner. Tek Al Sadd, në Katar, po përgatitet për të ardhmen e tij si trajner te Barça, çka do të ndodhë herët a vonë. Është çështje kohe. Ai flet për shumë gjëra në këtë intervistë me “Marca”, përfshirë koronavirus, me të cilin u infektua javën e kaluar. Para së gjithash: si ndiheni, pasi njoftuat se jeni infektuar me Covid-19? Epo, unë jam mirë, edhe pse logjikisht i izoluar. Shpresoj të stërvis së shpejti (trajneri nuk mund të ishte në stol të shtunën e kaluar, kundër Al Khor 2-1). A e shihni Messin duke garuar në Kupën e Botës 2022, në Katar, 35 vjeç e gjysmë? Unë e shoh Leon duke luajtur derisa vetë të dëshirojë. Në nivel fizik, ai është i shpejtë, i fortë, është një “bishë” konkurruese. Fizikisht është një “kafshë”. Nuk kam dyshim se ai do të luajë në Katar 2022.

Si mendoni se do të jetë futbolli post-koronavirus? Niveli do të bjerë, si gjithçka, pas kësaj pandemie. Futbolli do të dëmtohet shumë. Do të ketë një riorganizim të gjithçkaje, të klubeve dhe lojtarëve. Është fatkeqësi, por do të jetë kështu.

Ju shkuat në Katar më 2015. Na tregoni për përparimin e vendit drejt Kupës së Botës 2022? Situata është e mrekullueshme në çdo drejtim. Infrastruktura po zhvillohet, pesë nga tetë stadiumet e reja për Botërorin pothuajse kanë përfunduar. Po ashtu, hotelet. Vendi ka ndryshuar shumë: rrugët, restorantet… Katari po rritet me një shpejtësi të madhe. Edhe trafiku është përmirësuar.

Koncepti i stadiumeve të reja është revolucionar. A mendoni se do të jetë Kupa e Botës më e mirë në historinë e futbollit? Pothuajse të gjithë përfaqësojnë diçka të kulturës arabe dhe kjo e bën Kupën e Botës 2022 më të veçantë. Do të jetë një Botëror historik, pa dyshim. Njerëzit do të mahniten me atë që ofron ky vend. Në përgjithësi, ka shumë paragjykime dhe kritika të pabaza. Katari i ka të gjitha: një vend i vogël, mikpritës dhe bujar. Do të jetë një Kupë Bote historike.

A i keni përmbushur aspiratat tuaja si trajner në këtë rajon, tani për tani? Katari është vendi ideal për të fituar përvojë si trajner, në një ekip fitues si Al Sadd. Fitimi i Ligës së Kampionëve do të ishte një kulm në këtë fazë. Ky është objektivi kryesor. Për më tepër, duke marrë parasysh që, për shkak të pandemisë, turneu do të organizohet këtu, në Doha, midis shtatorit dhe fillimit të tetorit.