Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi u takua me Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu. Shehu e falenderoi Kryetarin e Kuvendit për mbështetjen dhe e informoi mbi punën dhe veprimtarinë e institucionit për rritjen e performancës, ndjekjen me rigorozitet të detyrave që i ngarkojnë Kushtetuta dhe ligjet si edhe vlerësimin për përmirësime të mundshme të kuadrit ligjor dhe institucional. Nga ana e tij, Ruçi e uroi Kryetarin e KLSH-së, Arben Shehu, për detyrën shumë të rëndësishme që i është ngarkuar dhe rekomandoi disa prioritete të punës së këtij institucioni në të ardhmen.

“KLSH duhet të vijojë e të thellojë përpjekjet për forcimin e pavarësisë së institucionit, për auditime të paanshme dhe objektive. Zbatimi i rekomandimeve të KLSH-së është i rëndësishëm për të thelluar luftën kundër korrupsionit, edhe si një instrument për rritjen e kontrollit parlamentar, pasi KLSh adreson rreth 4000 rekomandime në vit. KLSH duhet të identifikojë njësitë publike, të cilat nuk janë kontrolluar asnjëherë këto vite, si edhe të rrisë transparencën dhe komunikimin interaktiv me qytetarët, për t’u bërë gardian i pa kompromis për mirëpërdorimin e fondeve dhe pronës publike”, tha Ruçi.

Po ashtu, Gramoz Ruçi, vuri në dukje edhe disa detyra të KLSH-së në kuadrin e përmbushjes së rekomandimeve të Progres-Raportit të BE-së, si zbatimin e plotë të standardeve të Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit, përmirësimin e cilësisë së auditimit, këmbënguljen për zbatimin në kohë të rekomandimeve të auditimit etj.