Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka së bashku me përfaqësuesin e përhershëm të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim Limya Eltayeb, inauguruan këtë të premte projektin “Forcimi i aftësisë ripërtëritëse në Shqipëri”, që përmirëson sistemin e mbrojtjes civile.
“Dokumenti që nënshkruam pak më parë, mbështetet në sugjerimet që ekspertë vendas dhe të Bashkimit Europian, Bankës Botërore dhe UNDP dhanë në raportin e verësimit të nevojave, pas tërmetit të 26 Nëntorit të vitit të kaluar. Kurrë më shumë sesa në ato ditë të vështira, nuk ka qenë më i vyer mendimi i ekspertëve vendas e të huaj për të përmirësuar sistemin e mbrojtjes civile, mbështetur në koordinimin dhe bashkëpunimin institucional, në zhvillimin e kornizës që mundëson zvogëlimin e riskut ndaj fatkeqësive natyrore apo duke rritur kapacitetet përgatitore dhe reaguese të strukturave dedikuar fakteqësive natyrore në nivel qendror apo vendor.
Bazuar edhe mbi këtë projekt, do të mund të hartojmë kodet e reja të ndërtimit apo çka është më e rëndësishmja do të realizojmë për herë të parë Vlerësimin e Riskut nga Fatkeqësitë në nivel kombëtar e për rrjedhojë dhe Strategjinë kombëtare për zvogëlimin e riskut të fatkeqësisë dhe procedurat standarde të operimit në rastet e fatkeqësisë. Sot, nisi puna për një projekt ambizioc, për të cilin ne në Ministrinë e Mbrojtjes ndjehemi krenarë, pasi në pak vite, bashkë me ligjin e ri “Për Mbrojtjen Civile”, ngritjen e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, forcimit të kapaciteteve të FA në kuadër të emergjencave civile, po hedhim gurët e themelit të një prej sistemeve më të rëndësishme që mbron atë c’ka është më e shtrenjtë për secilin prej nesh: jetën”, deklaroi ministrja Xhaçka.
Aktualisht, UNDP po vë në zbatim dy iniciativa pilot në nivel qendror dhe vendor, përkatësisht vlerësimin e kapaciteteve institucionale, ku përfshihen institucionet e rëndësishme qendrore, dhe bashkëpunimi me Bashkinë e Lezhës për të zhvilluar profilin e saj të riskut dhe planin vendor të Mbrojtjes Civile, duke mundësuar kështu terrenin për një përshkallëzim të përpjekjeve të gatishmërisë dhe të përgjigjes.
“Fatkeqësitë natyrore kanë fuqinë që të përmbysin rritjen ekonomike dhe progresin e arritur, të rrisin pabarazinë e ekspozimit ndaj riskut dhe të godasin më rëndë ata që kanë vështirësi më të mëdha ekonomike dhe sociale. Fatkeqësitë natyrore kanë qenë dhe vijojnë të jenë pjesë e realitetit tonë dhe pashmangshmërisht do të kemi një përkeqësim të mëtejshëm të këtyre fenomeneve nga ndryshimet klimatike. Reduktimi i riskut nga fatkeqësitë lidhet me mbrojtjen e jetëve njerëzore, me varfërinë, bizneset dhe mjetet e jetesës për ne dhe brezat e ardhshëm. Në cilësinë e saj si një organizatë botërore për zhvillim, UNDP promovon qeverisjen e mirë dhe zhvillimin e qëndrueshëm, të cilat kanë në qendër të tyre qeniet njerëzore nën moton “Askush të mos mbetet pas”. Qëndrueshmëria ka nevojë për aftësi ripërtëritëse. Reduktimi i riskut nga fatkeqësitë është mënyra e vetme për të garantuar se fatkeqësitë natyrore nuk do ta nxjerrin zhvillimin e qëndrueshëm nga binarët. E për rrjedhojë, ne kemi vetëm një mundësi: të përgatitemi për të zbutur ndikimet nga fatkeqësitë natyrore dhe, kur ato të ndodhin, të jemi të aftë të përgjigjemi në kohë për të shpëtuar sa më shumë jetë. Nëse vihet plotësisht në zbatim, ne jemi besimplotë se ky program do të shënjojë një pikë kthese në Menaxhimin e Riskut nga Fatkeqësitë për Shqipërinë”- u shpreh znj. Limya Eltayeb, Përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së.
Projekti do ta mbështesë gjithashtu përpjekjet e Shqipërisë për t’u anëtarësuar me të drejta të plota në Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian, në pajtim me parimet e Kuadrit të Sendait për Reduktimin e Riskut nga Fatkeqësitë (KSRRF) dhe me rekomandimet e Vlerësimit të Nevojave pas Fatkeqësisë Natyrore (VNFN) në vazhdën e tërmetit të 26 nëntorit në Shqipëri.