Duke nisur nga muaji korrik, mijëra ushtarakë shqiptarë do të kenë çdo muaj në pagën e tyre, një shtesë prej 10 mijë lekësh, si kompesim për ushqimin. Lajmin pozitiv, ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka e dha gjatë takimit me efektivët e kontingjentit të Policisë Ushtarake, të cilët nisen për në Afganistan, ku do të shërbejë në misionin e NATO-s, Resolute Support.
“Çdo investim në armë e sisteme do të kishte qenë i mangët nëse nuk do të ishte shoqëruar me një përpjekje po aq serioze e të qëndrueshme për të investuar tek burimet njerëzore të FA. Unë sot jam e lumtur t’ju jap një tjetër lajm të mirë në këtë drejtim. Për një vendim të propozuar nga Ministria e Mbrojtjes, që ka gjetur mbështetjen e menjëhershme të qeverise e kryeministrit Rama, i cili i jep një zgjidhje dinjitoze një problemi të bartur prej shumë vitesh. Miratimi prej 10 mijë lekësh (100 mijë lekë të vjetra) si shtesë në pagat mujore të ushtarakëve nuk është thjesht një zhvillim me impakt të konsiderueshëm pozitiv në buxhetet familjare të ushtarakëve, por edhe një shenjë vlerësimi për punën tuaj të jashtëzakonshme gjatë këtyre viteve duke e bërë FA institucionin më të besuar për shqiptarët.”- u shpreh ministrja Xhaçka.
Gjatë vizitës së saj në Policinë Ushtarake, ministrja Xhaçka inspektoi mjediset e reja të ndalimit disiplinor, financim i ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë.
“Bashkëpunimi dhe mbështetja nga aleatët, veçanërisht nga ata amerikanë, sidomos gjatë dy viteve të fundit ka qenë e jashtëzakonshme. Falë kësaj mbështetje ia kemi dalë të përforcojmë çdo element të FA, që nga logjistika e transporti, e deri tek mbulimi i territorit me radar, sisteme armatimi apo flota e helikopterëve “Black Haëk” që na jep sot disa kapacitete luftarake që as nuk i imagjinonim pak vite më parë. E sigurisht, nuk mund të mos përmend bazën e Kuçovës, që nuk është thjesht një investim i jashtëzakonshëm në terma infrastrukture, logjistike e kapacitetesh ajrore, por edhe një afirmim i rëndësisë strategjike të Shqipërisë për Aleancën”, tha ministrja Xhaçka.