130 milionë dollarë është shuma që është shpërndarë deri tani për qytetarët shqiptarë që u prekën në punën e tyre për shkak të situatës së krijuar prej COVID-19. Nga dy paketat financiare kanë përfituar gati çerek milioni qytetarë. “Paga e luftës” dhe bonusi prej 40 mijë lekësh u shpërnda për të gjitha kategoritë e biznesit, të cilat u mbyllën ose aktiviteti i tyre u reduktua për shkak të kufizimeve të vendosura.
Zamira Llagaçi është një nga të vetpunësuarat e shumta që e kanë përfituar “pagën e luftës” prej 26 mijë lekësh në muaj për një periudhë tre mujore. Zamira ka një rrobaqepësi në një nga zonat e Tiranës. Në një bashkëbisedim me ATSH-në, Zamira shprehet se është e vetëpunësuar.
Ajo thotë se për shkak të masave që u morën e kishte mbyllur aktivitetin e saj. Për këtë, ajo vlerëson mbështetjen e dhënë nga qeveria. Zamira thotë se aplikimi për t’u bërë përfituese ishte i thjeshtë dhe kërkesa e saj ishte miratuar brenda një kohe të shkurtër.
Qeveria aprovoi dy paketa financiare përmes të cilave u mbështetën qytetarët dhe punonjësit e bizneseve që u prekën nga masat e marra në përballje me pandeminë COVID-19. Gjithashtu, qeveria dyfishoi pagesën për ndihmën ekonomik dhe pagesën e papunësisë. Ndërkaq, qeveria është gati të vërë në lëvizje Planin Kombëtar “Shqipëria 2030”, për rimëkëmbjen dhe zhvillimin ekonomik e social të vendit.
Në të gjithë vendin deri më sot është shpërndarë “paga e luftës” për rreth 64 mijë qytetarë, ndërsa 169 mijë e 900 qytetarë dhe 46 754 biznese kanë përfituar nga Paketa e Zgjeruar prej 40 mijë lekë.