Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha do të zhvillojë të hënën një vizitë dy ditore në Kosovë, me ftesë të Kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti. Në një njoftim për mediat, selia blu thotë se Basha do të takohet me drejtuesit më të lartë të shtetit dhe politikës së Kosovës.
PD përcjell edhe axhendën e Bashës. Kështu në orën 11:00, kreu i PD do të takojë Kryeministrin Avdullah Hoti. Në 12:00 do të zhvillojë një takim me Presidentin Hashim Thaçi. Në orën 13:00 Basha do të ketë një drekë pune me Kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurtin, ndërsa në orën 15:00 do të zhvillojë një takim me Kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani. Në orën 16:00, Basha do të pritet nga takim nga Ramush Haradinaj, Kryetar i AAK. Në orën 17:00, do të takojë Fatmir Limajn, Kryetari i Partisë Nisma për Kosovën, në 17:45 do të takojë drejtuesit e LDK-së dhe në orën 18:30, Basha do të zhvillojë një takim me drejtuesit e PDK-së.
Ndërsa të martën, Kryetari i Partisë Demokratike do të takohet me Kryetarin e Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti dhe me Kryetarin e Komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri. Basha do të zhvillojë homazhe pranë varrit të Presidentit Ibrahim Rugova, varrit të Isa Boletinit në Boletin, si dhe do të zhvillojë homazhe te Memoriali i Jasharëve në Prekaz.
Në vizitën në Kosovë, Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha do të shoqërohet nga Nënkryetari i PD, Edi Paloka, Besnik Mustafaj, ish-Ministër i Jashtëm dhe Kryetar i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë, Kreshnik Çollaku, anëtar i Kryesisë së PDSH dhe Arben Çejku, ish-ambasador dhe drejtues i Qëndrës Shqiptare për Mirëqeverisje.