Përkeqësimi i situatës në rang vendi nga numri në rritje i të prekurve prej Covid-19, ka bërë që policia e shtetit të dalë në terren për të parë zbatimin e masave në njësitë tregtare apo bizneset që duhet të punojnë brenda.
Këtë të premte ishte në Burrel zëvendësministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, i cili inspektoi disa biznese për të parë nga afër zbatimin e masave antiCovid.
Lamallari ishte i shoqëruar nga drejtues të Komisariatit të Policisë Mat dhe inspektorë të Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor në Qarkun e Dibrës.
Zëvendësministri i Brendshëm, Besfort Lamallari tha se në këtë pikë ku ka arritur situata e krijuar nga Covid-19, roli i qytetarëve është shumë i rëndësishëm në parandalimin e agravimit të mëtejshëm të virusit korona. Ditët e fundit edhe në Qarkun Dibër ka patur rritje të numrit të të infektuarve nga Covid-19.